AKTUALITET, 4 Tetor 2019, 14:11

Helmoi vjehrrën me fotoksinë, prokuroria kërkon 35 vite burg për Marjana Çmetën

Helmoi vjehrrën me fotoksinë, prokuroria kërkon 35 vite burg


Prokuroria ka kërkuar 35 vite burg për Marjana Çmetën, nusen e cila akuzohet se vrau vjehrrën e saj, Lirie Lami në Kamëz, ngjarje e ndodhur më 30 prill të vitit 2018.

Krimin e rëndë, Çmeta e ka rrëfyer edhe para hoxhës Hysen Shehu, të cili i tregoi se si e kishte bërë vjehrrën të pinte “lëngun magjik”, duke i thënë se ishte një pije e që e konsumonin të gjithë për të shmangur sherret në familje.

Por në fakt, lëngu ishte fostoksinë. Hoxha e regjistroi të renë dhe e denoncoi në polici. Video-regjistrimi u pa edhe nga Olti Lami, djali i viktimës dhe ish-bashkëshorti i autores së krimit.

Marjana në video rrëfen se i kishte dhënë vjehrrës të pinte fotoksinë pasi nuk e duronte dot më sepse konfliktoheshin shumë.

Një orë pasi viktima 48-vjeçare e kishte pirë helmin, nusja vrasëse kishte shkuar në dhomë dhe e kishte gjetur të shtrirë në shtrat, por që e shikonte me inat.

“Mendova se nuk kishte bërë efekt helmi. Pas kësaj mora një shall dhe ja lidha në fyt për ta mbytur. Ajo donte të hapte dritaren e dhomës për të kërkuar ndihmë por e kafshova në fyt dhe u kacafytëm në korridor.

Kishte shumë fuqi,”– dëgjohej në rrëfimin e atëhershëm të nuses 21-vjeçare.