AKTUALITET, 23 Mars 2018, 08:21

Hajdutët me armë e maska luftë me policinë, një vritet, tjetri plagoset, dalin detajet

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër u plagos pas shkëmbimit të zjarrit mes tyre dhe policisë.

Ngjarja ka ndodhur në Fier, ndërkohë që sipas të dhënave të para policia bën me dije se përplasja erdhi pas ndërhyrjes së uniformave blu, në ndihmë të një familje që kishte dhënë alarmin për grabitje.

Informacion paraprak

Në datën 23.03.2018, rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit M.M, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtepisë duke thyer drynin e derës.

Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.

Në kushtet e reagimit propocional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.

Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.

Nga rradhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.

Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.

Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.