AKTUALITET, 2 Maj 2019, 13:12

Guaido: Ushtria na mbështet ne dhe jo Nicolas Maduron

Guaido: Ushtria na mbështet ne dhe jo Nicolas Maduron


Në rrugët e Venezuelës vazhdon përplasja mes protestuesve dhe forcave ushtarake të regjimit të Maduro-s.

Presidenti i përkohshëm i vetëshpallur Juan Guaidó, ka deklaruar se do qëndrojnë në rrugë derisa të krijohet një qeveri kalimtare dhe të ketë zgjedhje të lira. Në një interviste për Deutsche Welle Juan Guaidó shprehet se ushtria e mbështet dhe se Maduro do largohet së shpejti.

Kur bëhet fjalë për pushtet mbajtësin e Venezuelës, Nicolás Maduro ju flisni për fillimin e fundit të uzurpimit. Cilat njësi ushtarake ju mbështesin sot?

Ka disa elementë kyçe në këtë proces, dhe kjo do të thotë se forcat e armatosura nuk mbështesin më Nicolás Maduro-n. Ato ndodhen në anën tonë, pas kushtetutës dhe janë për një ndryshim të pushtetit. Përsa i përket gjendjes në Venezuelë bëhet fjalë për një uzurpim. Brenda ushtrisë ka pasur shumë përndjekje, jo vetëm nga shërbimi i fshehtë venezuelian, por edhe nga ai kuban. Është e dukshme që shumica e popullit, bashkësia ndërkombëtare dhe forcat e armatosura nuk e mbështesin më Maduron.

Është e dukshme, që qeveria e Maduros ka gllabëruar në mënyrë të kundërligjshme poste, që prej vitit 2018 (vërejtje red.: rizgjedhja e Maduros në 20.5.2018 u kritikua si jodemokratike nga opozita) përçmon shtetin ligjor dhe kushtetutën, nuk mban zgjedhje të lira dhe korrekte dhe shpërdoron pushtetin. Sot, forcat e armatosura bën një hap të rëndësishëm, duke u pozicionuar pas nesh.

Ekziston frika se qeveria Maduro do ta ashpërsojë ofensivën ushtarake. A ekziston rreziku, që të ketë gjakderdhje?

Procesi ynë ecën paqësisht dhe në kuadër të kushtetutës, këtë e kemi thënë gjithmonë. Kësaj do t’i përmbahemi edhe më tej. Ata që kanë ushtruar dhunë janë paraushtarakë të armatosur, të ashtuquajturit “coletivos”. Pas tyre qëndron qeveria. Ne dhe populli venezuelian, që del në rrugë dhe proteston e kemi ruajtur qëndrimin tonë të padhunshëm.

Cila është mbështetja që kërkoni nga bashkësia ndërkombëtare? Grupi Lima, i themeluar në vitin 2017 nga 14 shtete amerikane për shkak të krizës në Venezuelë, sapo thirri një mbledhje urgjente, për të diskutuar për situatën në vend…

Në kërkojmë njohje zyrtare, siç ka ndodhur shumëfish. Dhe kërkojmë që të vendoset një qeveri kalimtare për të mbajtur zgjedhje të lira. Bota duhet ta dijë, se Maduro sot nuk e ka më mbështetjen e ushtrisë, megjithëse përhap frikë, trazira dhe pasiguri. Çfarëdo që të ndodhë, në do të vazhdojmë.

Në fotografitë që mbërrijnë tek ne nga Caracasi, ju kemi parë së bashku me drejtuesin opozitar Leopoldo López. Si u arrit të bëhet lirimi i Lópezit?

Miratuam një ligj amnestie. Veç kësaj, forcat e armatosura, që e mbanin të arrestuar atë në burg, u tërhoqën.

A keni besim që në Venezuelë do të kthehet demokracia?

Për aq kohë sa populli del në rrugë dhe ne të kemi mbështetjen e ushtrisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, unë nuk kam dyshim për këtë./ Deutsche Welle