AKTUALITET, 2 Maj 2019, 12:31

Basha zbërthen propozimin e opozitës për qeveri tranzitore: 10 detyrat kryesore të saj

Basha zbërthen propozimin e opozitës për qeveri tranzitore: 10


Gjatë fjalës në tryezën e sotme me opozitën e bashkuar, Lulzim Basha prezntoi platformën për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe 10 detyrat e qeverisë tranzitore që do të mundësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Do prezantoj 10 detyrat kryesore që qeveria tranzitore do të ketë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, që do vetëm vullnet politik, që kryeministri i qeverisë tranzitore dhe ministrat të jenë jashtë konfliktit të interesit”, u shpreh Basha.

DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE

1. Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.

2. Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.

3. Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.

4. Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.

5. Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.

6. Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të

letërnjoftimeve.

7. Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.

8. Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.

9. Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.

10. Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.

Detyrat te detajuara

LUFTA KUNDËR SHITBLERJES SË VOTËS

• Ashpërsimi i goditjes së krimit të organizuar nga policia.

• Goditja me tolerancë zero e shitblerjes së votës.

• Kërkesë ndaj prokurorisë dhe SHISH për të hetuar me prioritet krimin zgjedhor, veçanërisht dosjet 184 dhe 339.

• Vendosja e institucioneve ligjzbatuese qeveritare (Policia, Drejtoria e Pastrimit të Parave etj) në funksion të goditjes së krimit zgjedhor.

ABUZIMI ME BURIMET SHTETËRORE

• Ndalim i menjëhershëm i përdorimit të burimeve materiale dhe financiare me ndikim në zgjedhje.

• Moratorium i punësimeve deri në datën e zgjedhjeve.

• Monitorim i rreptë i penalizimeve dhe përfitimeve sociale (ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, banesat sociale) dhe vënie para ligjit e shkelësve.

• Ndalim i aktiviteteve promovuese qeveritare në fushatë zgjedhore.

• Moratorium i akteve qeveritare që krijojnë përfitime në periudhë zgjedhore.

(lehtësi fiskale, pronësore, ekonomike)

PRESIONI MBI ADMINISTRATËN DHE ZGJEDHËSIT

• Ngritja e strukturave për mbikqyrjen, denoncimin, regjistrimin dhe ndjekjen e rasteve të presionit mbi zgjedhësit, sidomos atyre në administratë.

• Prioritet dhe tolerancë zero në hetimin dhe ndëshkimin e presioneve mbi administratën dhe zgjedhësit.

• Koordinim institucional me prokurorinë për të hetuar presionin mbi zgjedhësit.

IDENTIFIKIMI I BESUESHËM I ZGJEDHËSVE

• Fuqizim dhe financim i menjëhershëm i infrastrukturës për pajisje me letërnjoftime.

• Skema subvencionimi të çmimit të letërnjoftimit për personat në nevojë.

• Monitorim dhe ndëshkim të rasteve penguese për zgjedhësit.

• Fushatë proaktive ndërgjegjësimi dhe njoftimi.

• Ngritja e një sistemi për verifikimin e letërnjoftimeve në çdo QV dhe goditja penale e fallsifikimeve.

LISTAT E ZGJEDHËSVE & SISTEMI I ADRESAVE

• Regjistrim derë më derë i shtetasve dhe identifikim i adresës së çdo shtetasi.

• Integrimi i adresave me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

• Regjistrim i zgjedhësit vetëm në listën e QV që i korrespondon vendbanimit faktik.

• Përditësim i hartave zgjedhore.

• Masa për caktimin e adresës së zgjedhësve emigrantë dhe caktimin e QV përkatëse.

• Hartim i listave të zgjedhësve drejtpërdrejt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

VOTIMI FIKTIV I EMIGRANTËVE

• Ngritja e një sistemi kontrolli dhe monitorimi të hyrje-daljeve në kufi dhe në sistemin TIMS.

• Sigurimi i aksesit të plotë në TIMS për KQZ-në për të hetuar ankesat për votim fiktiv të emigrantëve.

• Ndjekje penale me tolerancë zero të shkeljeve.

ROLI I POLICISË NË ZGJEDHJE

• Monitorim institucional i veprimtarisë së policisë në proces zgjedhor.

Raportim dhe ndëshkim i shkeljeve.

• Largim i menjëhershëm i drejtuesve dhe policëve të lidhur me krimin.

• Prioritet në goditjen e krimeve zgjedhore.

• Garantim i sigurisë në zgjedhje dhe goditja e bandave.

• Nxjerrje e akteve ligjore që disiplinojnë rolin e policisë në zgjedhje.

• Raportim transparent i veprimtarisë së policisë.