AKTUALITET, 2 Maj 2019, 10:29

Samiti i Berlinit, Rama: Mediat dizinformuan, s’ishte për negociatat

Samiti i Berlinit, Rama: Mediat dizinformuan, s’ishte për negociatat


Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë lidhur me punimet e Samitit të Berlinit, dy ditë më parë në Gjermani. Nisur nga fakti se organizatorët e këtij forumi, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u shprehën skeptikë sa i takon çeljes së negociatave në muajin qershor, Rama u shpreh se mediat në Tiranë dizinformuan. Sipas tij, në punimet e këtij Samiti nuk ishte aspak temë çelja e negociatave.

“Gjithçka u tha këtu për Samitin e Berlinit ishte dizinformim. Nuk kisha parë më herët dizinformim më të madh. Samiti nuk ishte për negociatat, nuk kishte asnjë fjalë për zgjerimin e BE. Tema e Samitit ishte bashkëpunimi rajonal. Unë nuk shkova për negociatat në zyrën e Merkel, sepse vendimmarrja i takon Bundestagut dhe kancelarja nuk e thotë asnjëherë fjalën e fundit të parën. Problem për Gjermaninë është koha e diskutimit në Bundestag”, u shpreh Rama.

Megjithatë ai pranoi se Berlini ka propozuar shtyrjen e vendimit për negociatat në muajin shtator: “Është folur për shtatorin nga pala gjermane, por jo për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë. Sa për Francën duhet pritur me shumë durim përfundimi i zgjedhjeve europiane në majMacron vlerësoi punën për uljen me 40% të azilkërkuesve shqiptarë”.

Edhe sa i takon Kosovës, kryeministri tha se pati keqinformime. Ai shtoi se BE nuk ka çfarë t’i kërkojë më Kosovës për liberalizimin e vizave. “Askush s’i thotë dot më Kosovës që nuk ke përmbushur kriteret”, tha Rama.