AKTUALITET, 29 Janar 2018, 20:34

Greqia përgënjeshtron Shqipërinë: ‘Çështja çame’ nuk ishte pjesë e bisedimeve, bie ndesh me dialogun që ka nisur

Greqia përgënjeshtron Shqipërinë: ‘Çështja

Ministria e Jashtme greke ka përgënjeshtruar zyrtarët shqiptarë që flasin për përfshirje të çështjes çame në bisedimet Greqi-Shqipëri. Ndonëse nuk i referohet me emër ndonjë zyrtari konkret, Atina zyrtare e mohon se është diskutuar për këtë çështje dhe i bën thirrje Shqipërisë që të ‘mos ngrejë çështje që bien ndesh me dialogun e sinqertë dhe konstruktiv që po zhvillohet’.

Deklarata e plotë:

Përgënjeshtrojmë në mënyrë kategorike deklaratat e zyrtarëve shqiptarë për gjoja përfshirje të “çështjes çame” në bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë.  Gjithësesi, një gjë është dëshira e palës shqiptare për ta shtruar këtë çështje, dhe një gjë krejt tjetër që kjo çështje të pranohet për bisedim. I bëjmë thirrje palës shqiptare që të mos ngrejë çështje që bien në kundërshtim me dialogun e sinqertë dhe konstruktiv që po zhvillohet. Një dialog i cili ndihmon, falë përpjekjeve të të dyja palëve, në përmirësimin e klimës në marrëdhëniet greko-shqiptare, dhe ka dhënë rezultate me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe popujt tanë.