AKTUALITET, 25 Prill 2019, 14:10

Ruçi kritika për RTSH-në: Nuk transmetohet Kuvendi, deputetët nuk shqetësohen për veten e tyre

Ruçi kritika për RTSH-në: Nuk transmetohet Kuvendi,


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka mbajtur një qëndrim mjaft të ashpër, lidhur me transmetimin e punimeve të Kuvendit në RTSH. Ai ka thënë se deputetët nuk shqetësohen as për veten e tyre, që nuk po shfaqen në televizionin publik, ndaj duhen marrë masa urgjente që kanali "RTSH Kuvend", të funksionojë.

Më poshtë fjala Gramoz Ruçit:

Duke përfunduar çështjen kolegë depute, duke ndjekur raportin, duke parë edhe rezolutën desha të ngrija edhe unë tri çështje:

Ne jemi këtu përfaqësues të atyre që na kanë zgjedhur dhe ata, nëse na kanë ndjekur në këtë seancë, na shprehin pyetjen: “Ç’raportim e diskutim po bëni ju kur televizioni publik shqiptar ka tetë kanale dhe unë që ju kam çuar në sallën e Kuvendit nuk i ndjek dot ato e ju diskutoni në parlament e flisni për paradat e sukseseve tuaja?”

Është i vetmi kanal televiziv që taksapaguesit shqiptarë, votuesit e tu dhe të mi ( i drejtohet z. Musa Ulqini, në një komunikim pa mikrofon nga salla), janë aksionerë në financat e TVSH-së.  Prandaj, ne të zgjedhurit e tyre, zgjedhësve tanë u jemi borxhlinj e duhet të përfshihet i gjithë debati, që kemi zhvilluar në komision dhe seancë, e kjo duhej përfshirë në rezolutë.

E dyta, vërtitet një kanal tjetër, që preku pak znj. Milva: RTSH Kuvendi. Diskutojnë deputetët dhe nuk merakosen për veten e tyre. Kur do të transmetohet Kuvendi në këtë kanal në mënyrë permanente?

Kur? Duke u përsëritur çdo vit kështu?

E treta, një pjesë e zgjedhësve tanë janë me aftësi të kufizuara. Kërkojnë nga ne se kur TVSH do të mundësojë të ndjekin Kuvendin përmes gjuhës së shenjave? Ndaj, raportimet në Kuvend dhe rezolutat e Kuvendit nuk duhet të jenë të rreme, duhet të jenë efektive, brenda të gjitha shqetësimeve, që kanë njerëzit që na kanë zgjedhur ne këtu.​

/TPZ.al/