TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërkohë që opozita ka thërritur sot në orën 18:00, qytetarët në aktin e parë të mosbindjes civile, për bllokimin e rrugëve nacionale, ish-kryeministri Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen.
Me një shënim në Facebook, ai shkruan se “qindra mijëra qytetarë nga të katër anët e vendit do bllokojnë akset rrugore kombëtare për të dëshmuar kolapsin e plotë të kalbësirës së narkoshtetit dhe kreut të tij Edvin Kristaq Urrejtsi”.
Postimi i Berishës:
Sot ora 18:00 Shqiperia kunder Edvin Urrejtesit dhe narkoshtetit te tij!
Qindra mijra qytetare nga te kater anet e vendit bllokojne akstet rrugore kombetare per te deshmuar kolapsin e plote te kalbesires se narkoshtetit dhe kreut te tij Edvin Kristaq Urrejtsi!
Ti shporrim, ti shporrim, ti shporrim kalbesirat. Fitore! sb
Çfarë do ndodhë pasdite
Simpatizantët e opozitës, të mbështetur edhe nga ish-deputetët e Qarkut të Elbasanit dhe Korçës, do të protestojnë në rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Në krye të kësaj proteste do të jenë ish-deputetët Edmond Spaho, Endri Hasa, Luçiano Boçi, Ervin Salianji dhe Hekuran Hoxhalli. Një tjetër aks i rëndësishëm që do të bllokohet pasditen e sotme është edhe autostrada Plepa-Kavajë, ku në mbështetje të qytetarëve do të jenë ish-deputetët Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Orjola Pampuri dhe Florion Mima.
Protestën kryesore të saj, opozita pritet ta zhvillojë në Tiranë në rrethrrotullimin e Shqiponjës.
Kësaj proteste pritet t’i bashkohet edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Vendimi për ndryshimin e strategjisë opozitare për t’i zhvendosur protestat opozitare në bllokimin e rrugëve erdhi pas mbledhjes që kreu i opozitës zhvilloi me Kolegjin e Kryetarëve të PD-së.