„Bëher fjalë për vendin, jo individin"
Edhe zëvendëskryetarja e partisë CDU, Julia Klöckner është shprehur para fillimit të bisedimeve të dielën, se „bëhet fjalë për vendin, dhe jo për partitë apo individë të veçantë." Ajo që dihet, theksoi Klöckner, është që duhet të ketë gatishmëri për kompromise për të krijuar një qeveri të stabilizuar. Ndërsa politikanja socialdemokrate, Malu Dreyer këshillon që „të mos e vendosim në krye të axhendës çështjen e refugjatëve". Në bisedimet për Xhamajkën tha ajo, tema të rëndësishme si barazia në politikën shëndetësore, kujdesin ndaj të moshuarve, papunësia apo ndërtimi i apartamenteve të reja kaluan në plan të dytë. Kjo nuk duhet të ndodhë tani, tha ajo për gazetën "Frankfurter Allgemeinen Zeitung".
Deri të premten e javës së ardhshme, partitë kryesore si ajo kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU dhe partia socialdemokrate, SPD duan të krijojnë qartësi, nëse krerët e partisë do t'u rekomandojnë organizmave të partisë futjen në bisedimet e koalicionit. Lidershipi socialdemokrat ka nevojë edhe për miratimin e bazës së partisë për të filluar bisedimet për koalicion me konservatorët. Votimi do të bëhet më 21 janar në Bonn./DW/