AKTUALITET, 22 Mars 2018, 11:19

Fëmijët ishin në rrezik mbytje, shkodrani që u fut me not në lumin Kir tregon tmerrin

Moti i keq dhe situata e përmbytjeve kanë sjellë mjaft probleme, aq sa dy fëmijë kanë rrezikuar jetën mbrëmjen e djeshme. Kjo pasi janë gjendur përballë ujit të lumit Kir, të bllokuar poshtë Urës së Bardhajve prej mëse 3 orësh.

Fran Vatgjoka, ka qenë personi i parë që është futur me not në lumin Kir për tu shkuar në ndihmë dy fëmijëve, të cilët kishin mbetur të bllokuar poshtë Urës së Bardhajve, prej orës 15:00 të ditës së djeshme.

Nga spitali ku edhe po merr trajtim mjekësor bashkë me dy fëmijët, pasi forcat e rendit i nxorën nga lumi, 60-vjeçari ka treguar sesi u vu në dijeni për dy fëmijët.

“Unë isha në shtëpi, më njoftuan në telefon ca njerëz të mi të afërm dhe thanë na kanë mbetur fëmijët në ujë. Arrita të shkoj. U futa me not për të shkuar tek fëmijët. Ishin bllokuar në ujë. Fëmijët kanë mbetur në ujë prej orës 3, unë kam qëndruar dy orë. Ishte rrezik i madh”, – deklaroi ai.

Vatgjoka nuk di të thotë sesi të miturit u gjenden në atë situatë, por mendon se më shumë ka qenë një lojë mes tyre që më pas u rrezikoi dhe jetën. “U munduam për mirë, na ndihmuan edhe forcat e rendit. Tani jemi mirë, nuk kemi ndonjë problem. Falënderojmë dhe stafin mjekësor”.