TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Pogradecit, pasi dyshohet se kanë kryer vjedhje në katër biznese të ndryshme, si dhe kanë vjedhur disa sende nga një automjet në qytetet e Pogradecit dhe Korçës.
Të arrestuarit janë identifikuar si Ronaldo Mehmeti dhe Romeo Memetali. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe një person tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor i tyre.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar sendet e vjedhura, një shumë parash, si dhe një automjet që dyshohet se përdorej nga personat e përfshirë në këto vjedhje.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/Finalizohet operacioni policor “Qarku”
Kryenin vjedhje në biznese të ndryshme në Pogradec dhe Korçë, si dhe në automjete, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori.
Sekuestrohen sendet e dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, organizuan punën, koordinuan veprimet dhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, bënë të mundur zbardhjen e 6 vjedhjeve.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Drenovë, dhe R. M., 26 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të banesave të këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sendet e vjedhura, së bashku me një shumë parash dhe një automjet me të cilin këta shtetas lëviznin.
Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë hetimeve rezultoi se këta shtetas dyshohet se janë autorë të vjedhjeve në 5 biznese dhe të disa sendeve në një automjet, vjedhje këto të ndodhura në Pogradec dhe Korçë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin ligjor edhe të disa vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.