TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mes këtyre ditëve përvëluese, ndodhi më në fund ajo që nuk pritej. Blendi Fevziu, është çertifikuar në tavolinë nga Bordi ad hoc i Udhëtimeve, si mbajtës i vendit të parë, për sa i përket udhëtimeve në rruzullin tokësor, duke kaluar menjëherë në vend të dytë Sokol Ballën, i cili kishte vite që e kryesonte këtë garë rivalësh.
Dhe ka qenë pikërisht xhelozia, ajo që ka tradhëtuar dhe asgjësuar Sokol Ballën.
Tmerrësisht i xhindosur, nga fakti që Blendi Fevziu vizitoi 20 ditë më parë, Machu Pichu-n, një nga shtatë mrekullitë e botës, Ballës iu errësua arsyeja duke kopjuar në mënyrën më të shëmtuar Fevziun dhe bëri gabimin fatal, duke vrapuar drejt Machu Pichu-t.
Ky kopjim amatoresk i Ballës, detyroi Bordin ad hoc të Udhëtimeve, të linte pushimet dhe të mblidhej në një seancë emergjente.
Kryetari i këtij bordi, Remzi Lani, duke dalë nga natyra e tij përjetësisht super neutrale, që e ka udhëhequr që nga fëmijëria, bërtiti: “Kjo që ka bërë Sokol Balla, është e pafalshme”.
-Po, po, domosdo, - tha anëtari i bordit, Albert Rakipi, - nuk është parë deri më sot ky lloj imitimi.
Të njejtin aprovim bëri edhe drejtori i ri i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, duke tundur kokën lart e poshtë, poshtë e lart, plotë katër herë.
Në këtë mbledhje pati vetëm një abstenim nga anëtarja Iris Luarasi, e cila deklaroi se imitimi nuk ekziston në rastet kur njerzit shkojnë drejt shtatë mrekullive të botës.
Në këtë mbledhje, nuk mori pjesë Kujtim Gjuzi, i cili ishte i ftuar, me ngrënie pirje falas, në një varkë me vela, nga një biznesmen i njohur shqiptar. Njëkohësisht në këtë mbledhje emergjente, nuk mori pjesë as ministri Blendi Klosi, i cili ishte në një aksion mediatik për pastrimin e plazheve, me rastin e mbylljes së sezonit turistik.
Në fund të mbledhjes, bordi vendosi t’i zbresë Sokol Ballës plot 12 pikë, duke e ulur atë automatikisht në vendin e dytë, duke i bërë gjëmën dhe duke e vendosur pas dhjetë vjetësh, 7 pikë më pak se Fevziu.
Gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve, Fevziu ndodhej në Mykonos të Greqisë, ku për të shprehur gëzimin e kësaj fitoreje në tavolinë, shpalosi brenda një dite, me veshje-zhveshje, një arsenal brekësh plazhi me peshq, alga dhe fruta deti.
Ky shkëmbim vendesh në klasifikim, duket i vështirë për t’u përmbysur, por jo i pamundur. Balla mund të rikthehet në krye të klasifikimit, nëse Fevziu tundohet dhe niset në Rio dhe e kopjon atë, duke kënduar në Copacabana, këngën "Rio" të Ledri Vulës, ose nëse kryen ndonjë akt tundje shkundje me video, në cilindo shtet ku ai të gjendet.
/TPZ.al/ Tej e këtej/
PS. Shihni më poshtë fotot e dy konkurentëve, këtyre dy udhëtarëve të famshëm të rruzullit tonë tokësor.
SOKOL BALLA NË MACHU PICHU, PERU:
BLENDI FEVZIU NË MYKONOS, GREQI: