AKTUALITET, 28 Qershor 2018, 09:40

Ekzekutimi i biznesmenit në Vlorë, pse u arrestua 28-vjeçari. Lidhja me autorin e krimit

Ekzekutimi i biznesmenit në Vlorë, pse u arrestua 28-vjeçari.

Zbulohen detaje lidhur me arrestimin e djeshem e Vlore, te nje te riu i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vasil Dervishaj. Bëhet fjalë për Donel Sh., 28 vjeç, banues në Vlorë. Ndaj tij rëndon akuza “Moskallëzim krimi”, ndërsa Gjykata e Vlorës e ka lënë në “arrest me burg”.

Sipas Policisë, 28-vjeçari i arrestuar ka pasur dijeni për ngjarjen, pasi ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes (në makinë me autorin). Pas afro një muaji nga ngjarja e ndodhur në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, Policia ende vijon hetimet për zbardhjen e plotë të krimit që tronditi qytetin e Vlorës mbrëmjen e 4 qershorit, ndërkohë që autori kryesor i vrasjes, Ergest Avdiu, mbetet ende në kërkim.

Në pranga është vënë deri më tani Amarildo Çaushi, për të cilin Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, si një nga dy personat e dyshuar, pavarësisht se burime nga Policia kanë konfirmuar se 31-vjeçari Avdiu dyshohet të jetë autori, i cili qëlloi për vdekje biznesmenin pas një grindjeje mes tyre.

Ndërkohë, në ngjarje janë përfshirë edhe shtetasit Nekid Arapi, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, me mbikëqyrje elektronike. Ndërsa për Amarildo Grambi (Muka), gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Këta dy të fundit akuzohen për “Moskallëzim krimi” si dhe për “dhënie ndihme ndaj autorit të dyshuar për largim nga vendi i ngjarjes”.

Policia tashmë ka dokumentuar se edhe një tjetër shtetas ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur edhe ndodhi krimi, duke arrestuar pikërisht 28- vjeçarin Donel SH.. Mësohet se i riu ka qenë në makinë bashkë me autorin e vrasjes në momentin e ngjarjes. Në bazë të hetimeve të deritanishme të Policisë, 31-vjeçari Avdiu qëlloi për vdekje me pistoletë mbi Derishajn, i cili ishte pronar i një biznesi kafeje në qytetin e Vlorës.

Ende nuk ka asnjë gjurmë të autorit, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë dalë jashtë territorit të vendit pak orë pas krimit. Vasil Dervishaj mbeti i vrarë mbrëmjen e datës 4 qershor, rreth orës 23:00 në lagjen “Pavarësia”, në zonën e quajtur ndryshe si ish-Kombinati i Peshkut në Vlorë.

Dervishaj është qëlluar për vdekje, në momentin ku sapo ka dalë nga automjeti i tij tip “Ford” me targa italiane, ndërsa një plumb në kokë i shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme. Vetëm pak ditë nga ngjarja, Policia zbardhi të plotë ngjarjen duke identifikuar autorin dhe bashkëpunëtorët.

PANORAMA