AKTUALITET, 27 Qershor 2018, 20:43

Largimi me turp nga Botërori, Gjermaninë e ndjek “mallkimi” mbi kampionët e botës

Gjermania u eliminua për herë të parë në një fazë grupi që nga Botërori i vitit 1938, ndërkohë që drama bëhet akoma më e madhe, kur mendon se atë e nxori jashtë një ekip modest si Koreja e Jugut.

Edhe pse kryeson renditjen botërore të FIFA-s, Gjermania humbi 2-0 me Korenë e Jugut, duke u bashkuar kështu me Francën (2002), Italinë (2010) dhe Spanjën (2014), që edhe pse ishin kampionë bote në fuqi, u larguan nga kompeticioni qysh në fazën e grupeve.

Skuadra gjermane fitoi vetëm një nga tri ndeshjet në grup, atë me Suedinë (2-1) dhe humbi me Meksikën (0-1) dhe Korenë e Jugut (0-2).

Katër vjet pasi fituan Botërorin e Brazilit (në finale me Argjentinën) dhe një vit pasi fituan Kupën e Konfederatave në Rusi, trajneri Johakim Lëv – në detyrë nga 2006- nuk mundi të ndërtonte një formacion fitues, të aftë për të mposhtur kundërshtarë të nivelit të dytë.

“Auss” (Jashtë), shkruante më të madhe tabloidi popullor “Bild”.

Mbrojtësi i Gjermanisë, Mats Humels tha pas ndeshjes se ekipi humbi disiplinën në pjesën e dytë në kërkim të shënimit të golit që do t’i mbante ata në Kupën e Botës, duke pranuar gjithashtu se skuadra kaloi në fazë paniku, kur mësoi se Suedia po fitonte me Meksikën në ndeshjen tjetër.

“Ne luajtëm në mënyrë të egër pas minutës së 65-të, lamë pozicionet tona, vrapuam për të shënuar dhe humbën strukturën tonë”, tha Humels për televizionin gjerman ARD. “Nëse unë do të shënojë atë gol në minutën e 86-të, ne do të ishim të gjithë të lumtur. Por, tani është një mbrëmjë e hidhur për ne”.

Me vetëm dy gola të shënuar në tri ndeshje dhe katër të pësuar, dy nga pikat më të dobëta ishin porta (gabimi i Nojerit ishte fatal në golin e pësuar nga Son), ndërkohë që sulmi nuk reflektoi agresivitet e pritur.

“Gjermania u largua nga Botërori nga Koreja e Jugut – dhe një ndihme të vogël nga VAR”, ishte titulli i gazëtës angleze “The Telegraph”. “Kjo është paraqitja më e dobët në historinë e Gjermanisë”, thekson gazeta, që përmend se kjo është humbja e parë në gjashtë ndeshje me ekipet aziatike.

/TPZ.AL/