AKTUALITET, 28 Gusht 2019, 12:18

Dhunoi turistët spanjoll, Mihal Kokëdhima kërkon të dalë nga burgu, ja çfarë vendosi Apeli i Vlorës


Edhe Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në burg Mihal Kokëdhimën, i cili dhunoi turistet spanjoll.

Avokatët e tij kishin kërkuar lirimin, por Gjykata e Apelit vendosi që ta lërë me masën arrest me burg Kokëdhimën, i cili deri në fund të hetimeve duhet të qëndrojë në qeli, derisa gjykata të japë vendimin për të.

Sipas mbrojtjes Kokëdhima nuk ka kryer vepër penale por kundërvajtje penale. I pyetur nga gjyqtarja, Kokëdhima në lot tha se rrethanat e ngjarjes nuk janë ato që aludohen nga video- skandali.

“Më morën zvarrë me makine! Ç’është kjo punë?! Nuk kam prekur njeri me dorë, ku i kanë faktet që i qëllova.

Më rrëzuan në Qeparo nga makina, si ka mundësi?! Nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur,” deklaroi ai gjatë seancës gjyqësore.

“Unë u mora targën, telefonova policinë, ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në makinë.

Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani, ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj,” shtoi ai, ndërsa u dakordësua me kërkesën e avokatit mbrojtës për garancinë pasurore.

Incidenti midis Kokëdhimës dhe turistëve spanjollë u regjistrua pak ditë më parë, ndërsa në videon e publikuar, biznesmeni nga Himara duket i varur në pjesën e përparme të makinës ndërsa godet me grusht dhe me telefon xhamin e makinës derisa e thyen.