AKTUALITET, 28 Gusht 2019, 09:30

Vrasja e ish-policit/ Zbulohet e shkuara, konflikti në 2016 me dy vëllezër. Krimi u shmang kur …

Vrasja e ish-policit/ Zbulohet e shkuara, konflikti në 2016 me dy


Personi që u ekzekutua mbrëmë në Tiranë, 26-vjeçari Santjago Malko, rezulton i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale, që mund të kishte përfunduar edhe me vrasje, por u parandalua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë.

Dy vëllezër dhe ish-polici Malko u përfshinë në një konflikt të ashpër fizik, në rrugën “Ismal Alla”, vetëm disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 14 prill 2016 dhe burimet thanë se konflikti dyshohej të kishte ndodhur për shkak të një borxhi të pakthyer.

Megjithatë, ndërhyrja në kohë e forcave të Policisë bëri të mundur neutralizimin e palëve të përfshira në konfliktin, që mund të ishte mbyllur edhe me shkrepje pistolete.

Burime zyrtare të Policisë thanë në atë kohë se personat e përfshirë në këtë konflikt ishin dy vëllezërit Edmond e Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç dhe ish-punonjësi i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit, në atë kohë 23 vjeç, Santjago Malko.

Të dyja palët, edhe vëllezërit, edhe ish-polici kishin në pronësi lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas Policisë konflikti kishte ndodhur në lokalin e Edmond Lashit. Ka qenë Santiago Malko që ka shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe është konfrontuar fizikisht me ta.

Nga përleshja, Malko është plagosur lehtë, pasi është goditur me grusht në hundë. Ndërsa në momentin që ka nxjerrë një pistoletë nga brezi, 2 vëllezërit kanë arritur t’ia heqin nga duart. Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë Policia, e lajmëruar nga dëshmitarët e shumtë që kanë qenë pranë.

Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, më pas është tërhequr vetë nga Policia.

Ndërsa bashkëshortja e tij vazhdonte të ishte pjesë e Policisë së Tiranës, në njësinë “Shqiponja”.