AKTUALITET, 28 Gusht 2019, 11:39

Të maskuar me kapuç të zi, si i zunë pritë ekzekutorët Santiago Malkos


Është zbardhur dinamika e vrasjes dhe mënyra se si u ekzekutua ish-polici Santiago Malko, një natë më parë në zonën e ‘Xhamllikut’.

Ish-efektivi ishte nën vëzhgim nga personat të cilët i morën jetën dhe ata i zunë pritë në momentin që ka dalë nga lavazhi ku po lante makinën.

Të maskuar me kapuça të zinj, atentatorët përdorën dy makina për të vrarë Malkon. Teksa 26-vjeçari po ecte me makinën e tij tip “BMW X5”, në rrugën “Xhanfize Keko”, një nga automjetet i zuri rrugën e ndërsa nga automjeti tjetër që kishte në krah filluan të shtënat me breshëri kallashnikovi.

I hutuar nga plumbat dhe teksa mundohej të shmangej, ish-efektivi ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një shtyllë elektrike.

Më pas makina tip “BMW X5”, me targa “AA 153 OO”, ka marrë zvarrë disa kazanë plehrash dhe ka përfunduar i përplasur me murin e lavazhit. Në vendin e ngjarjes duken qartë gjurmët që ka lënë automjeti i viktimës për rreth 50 metra.

Në këtë moment për t’u siguruar për vdekjen e Santiago Malkos, atentatorët janë afruar pranë tij dhe e kanë qëlluar me plumb në kokë duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ekzekutimit, autorët janë larguar me shpejtësi ndërsa pak minuta më vonë, në Ferraj të Tiranës është gjetur një automjet “Mercedez Benz” i djegur, që dyshohet se u përket autorëve. Brenda automjetit është gjetur edhe një armë e llojit ‘kallashnikov’, që dyshohet se është arma me të cilën u krye vrasja.

Deri më tani policia ka shoqëruar 10 persona të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive.

Malko ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë.

Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh