AKTUALITET, 27 Shkurt 2019, 12:46

Dhuna ndaj fotografit të Flamurtarit, policia procedon autorët

Një incident i shëmtuar u shënua në sfidën mes Partizanit dhe Flamurtarit, ku disa persona u futën në fushë dhe dhunuan fotografin e klubit vlonjat, Çimi Ramaj.

Ky i fundit bëri dhe një kallëzim në polici, ndërkohë që po procedohen penalisht në gjendje të lirë 4 shtetas, të cilët janë identifikuar nga policia si dhunuesit e fotografit.

Njoftimi i policisë:

Policia identifikon dhe procedon penalisht shtetasit, të cilët më datë 23 shkurt 2019, gjatë zhvillimit të ndeshjes “Partizani-Flamurtari”, ushtruan dhunë fizike ndaj fotografit të ekipit të “Flamurtari”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, identifikuan dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë, shtetasit:

1. Xh., 31 vjeç, banues në Tiranë

2. Ll., 31 vjeç, banues në Tiranë

3. B., 19 vjeç, banues në Tiranë

4. H., 28 vjeç, banues në Tiranë

Këta shtetas më datë 23 shkurt 2019, rreth orës 17:40, tek stadiumi “Selaman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes “Partizani-Flamurtari”, kanë hyrë në fushë dhe kanë goditur shtetasin Sh. R., 32 vjeç (fotograf i ekipit “Flamurtari”).

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindje e urdhërit të punonjësit të rendit publik”, “Dëmtime të tjera me dashje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 274, 242 dhe 90/25 të Kodit Penal.