AKTUALITET, 7 Tetor 2019, 09:23

DETAJE/ Si ndodhi aksidenti tragjik me dy viktima mbrëmë në Cërrik


Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti ndodhur mbrëmjen e së dielës në Selitë.

Policia teksa ka sqaruar detajet e reja pas hetimeve në vendin e ngjarjes, thotë se ka vënë në pranga shoferin e njërës prej makinave, 24 vjeçar, i cili akuzohet për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, në përfundim të veprimeve të para hetimore arrestuan në flagrancë shtetasin: A.H., 24 vjeç, banues në Klos, Cërrik, për veprën penale, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Shtetasi A.H, mbrëmjen djeshme e rrugën rurale Mollas-Selitë, tek “Ura e Sharrës”, në fshatin Kamuna, Cërrik, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në kushtet e errësirës dhe fushëpamjes së kufizuar në kthesë ka goditur karrocën që tërhiqej nga një kafshë pune dhe më pas ka humbur kontrollin mbi mjetin duke dalë në krah të kundërt ku është përplasur me mjetin tjetër që vinte përballë.

Për pasojë ka humbur jetën shtetasi A.M., 53 vjeç, banues në fshatin Kamuna, Cërrik i cili ishte drejtuesi i karrocës dhe shtetasi A.Sh., 48 vjeç, banues në fshatin Lumas, Cërrik, i cili ishte pasagjer në një nga automjetet”, tha Policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.