TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Seanca e parë ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Durrësit të akuzuar për korrupsion nisi të enjten në Gjykatën e Krimeve të Rënda vetëm me praninë e të akuzuarit Kliton Spahiu.
Kryesuesja e treshes gjykuese, Irena Gjoka bëri me dije se policia vendore e kishte pasur të pamundur të gjente adresat e gjyqtarëve Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri, duke mos kryer njoftimin e tyre si dhe nuk e ka ekzekutuar ende urdhrin për njoftimin e biznesmenit Namik Sadiku.
Në fund të nëntorit 2018, prokuroria dërgoi për gjykim gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno nën akuzën “korrupsioni pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të drejtësisë”. Me gjykatën do të përballet edhe biznesmeni Namik Sadiku, i cili akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “korrupsioni aktiv”.
Të dhënat e siguruara më parë nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët dyshohet se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.
Biznesmeni Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në shkurt të vitit 2012, Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina i cili kishte dalë fitues në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Por, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut./Reporter.al