TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Transferimi i Fisnik Asllanit te RB Leipzig ka dështuar në momentet e fundit, pavarësisht se marrëveshja mes klubit gjerman, Hoffenheim dhe përfaqësuesve të sulmuesit ishte shumë pranë finalizimit.
Sipas raportimeve të “Sky Sport”, operacioni është bllokuar pas shqetësimeve të evidentuara gjatë kontrolleve mjekësore të kryera nga sulmuesi i Kosovës.
Leipzig dhe përfaqësuesit e Asllanit kishin arritur një marrëveshje për kushtet personale të lojtarit dhe ai pritej të firmoste një kontratë afatgjatë, që do ta mbante në Leipzig deri në vitin 2031.
Marrëveshja mes dy klubeve parashikonte një paketë financiare prej rreth 25 milionë eurosh për Hoffenheim. Megjithatë, kontrollet mjekësore sollën një kthesë të papritur dhe bënë që transferimi të mos përfundonte.
Në lidhje me situatën ka reaguar drejtori i Hoffenheim, Andreas Schicker, i cili ka shprehur mbështetjen e klubit për Asllanin dhe ka vlerësuar paraqitjet e tij fizike dhe atletike gjatë përgatitjeve.
“Fisniku ka bërë përparim të jashtëzakonshëm te Hoffenheim. Fakti që ky transferim nuk është realizuar është një lajm i keq për ne nga një perspektivë sportive. Është krejtësisht e qartë për ne se Fisniku është i aftë të performojë në nivelin më të lartë, si fizikisht ashtu edhe taktikisht.
Ne i qëndrojmë pranë lojtarit tonë. Fisniku dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin tonë sezonin e kaluar, përfundoi stërvitjen parasezonale në nivelin e tij të lartë të zakonshëm dhe do të stërvitet përsëri me ekipin duke filluar nga java e ardhshme”, ka deklaruar Schicker, sipas “Bild”.
Pas problemeve të evidentuara gjatë testeve mjekësore, Leipzig ka vendosur të tërhiqet nga operacioni, duke bërë që transferimi të dështojë.
Ky zhvillim vjen në një moment të rëndësishëm për Asllanin, i cili ishte shumë pranë një tjetër transferimi të madh në karrierën e tij dhe kalimit te një prej klubeve të njohura të futbollit gjerman.