AKTUALITET, 24 September 2026, 14:18

Drejtuesi humb kontrollin e makinës dhe përplaset me 3 automjete, plagoset një këmbësor në Durrës

Një aksident është regjistruar mesditën e sotme në një nga rrugët kryesore të Durrësit, në rrugën “Aleksandër Goga”, ku një drejtues ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është përplasur me 3 mjete të tjera, ndërsa i dëmtuar ka mbetur edhe një këmbësor.

Nga aksidenti është dëmtuar edhe një kabinet/shpërndarës i rrjetit të internetit dhe telekomunikacionit. Këmbësori është dërguar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas policisë, ai është plagosur lehtë, ndërsa drejtuesi i mjetit paraprakisht deklarohet se nuk ka qenë nën efektin e alkolit.

Në vendngjarje policia ka kryer veprimet procedurale për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e rrethanave të tij.