TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një rrëfim të gjatë për faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, është rikthyer te momentet e para të karrierës së tij, në vitin 1999, pak pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Familja e Canës, ashtu si mijëra shqiptarë të Kosovës, ishte larguar nga vendlindja dhe kishte emigruar në Zvicër. Por pas përfundimit të luftës, familja u përzgjodh për t'u kthyer në Kosovë, pasi kishte vetëm lejeqëndrim të përkohshëm në Zvicër.
Pikërisht në këtë periudhë, kur e ardhmja e tij dukej e pasigurt, ndodhi një seri ngjarjesh që do t'i ndryshonin përgjithmonë jetën Lorik Canës dhe do ta shndërronin atë në një prej figurave më të rëndësishme të futbollit shqiptar.
Cana mori një ftesë nga Arsenali i Arsene Wenger për të shkuar në Londër dhe për t'u provuar me klubin anglez. Megjithatë, kur u paraqit në ambasadë, kërkesa e tij për vizë u refuzua.
“Ftesa e Arsenalit dhe mungesa e vizës? Në atë moment ka qenë diçka që mund të ishte momenti kyç i ëndrrës. Le të kthehemi pas në kohë, në atë realitet. Imagjino të jemi ne si mijëra familje që kanë emigruar, Kosova ka dalë nga konflikti, dëmet, humbjet e njerëzve dhe pas dhjetë viteve në Zvicër kur ke bërë gjithçka për të qenë futbollist, në atë moment të vjen një mundësi si Arsenali për një provë në Londër, nga vetë Arsene Wenger”, rrëfen Cana.
Ai tregon se në atë kohë familja e tij ishte ende në një situatë të pasigurt ligjore.
“Në ato momente, si mijëra familje edhe ne ishim refugjatë me leje qëndrimi afatshkurtër. Në momentin që mbaroi lufta, Kosova doli nga lista e vendeve ‘jo të sigurta’ dhe një pjesë e madhe e njerëzve u detyruan të kthehen. Pak muaj përpara ftesës, na u tha se ishim nga familjet që do të ktheheshim në Kosovë”, tregon ai.
Cana kishte shkuar në Zvicër që në moshën 7-vjeçare dhe kishte kaluar atje rreth një dekadë, por në atë periudhë ishte pa pasaportë dhe me statusin e emigrantit politik.
“Paçka se unë isha në Zvicër prej dhjetë vitesh, kisha shkuar atje në moshën 7 vjeç, urdhri për t'u larguar erdhi. Isha pa pasaportë dhe me statusin e emigrantit politik. Ajo ftesë erdhi dhe ishte si një ëndërr për të bërë diçka në një klub të madh. Arsenali fitonte në Angli kampionatin, kishte Thierry Henry dhe emra të mëdhenj të nivelit botëror. Unë kisha një ftesë dhe mendo do stërvitesha me ta”, rrëfen ish-kapiteni.
Por ëndrra për të shkuar në Londër u ndërpre në ambasadë.
“Kur shkuam në ambasadë për të marrë vizën, nuk ma dhanë. Mua m'u duk se gjithçka po shkatërrohej dhe prisja të rikthehesha në Kosovë”, tregon Cana.
Megjithatë, pas refuzimit të vizës për Anglinë, drejtuesit e Lozanës i organizuan një tjetër mundësi, këtë herë për një provë te Paris Saint-Germain. Por edhe për të udhëtuar drejt Francës nuk kishte dokumentet e nevojshme.
Cana rrëfen se në moshën vetëm 16 vjeç e gjysmë u detyrua të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme për të mos humbur mundësinë që mund t'i ndryshonte jetën.
“Më pas drejtuesit e Lozanës më organizuan një provë me PSG-në dhe nuk kisha leje për në Francë. Mua më hipën në makinë dhe kalova kufirin në të zezë, në Gjenevë. Isha 16 vjeç e gjysmë, më hipën në tren në Lyon dhe shkova në Paris”, rrëfen ai.
Në Paris, prova rezultoi e suksesshme. Drejtuesit e PSG-së mësuan se adoleshenti shqiptar ishte pa dokumente dhe dëshironin ta mbanin në Francë. Por Cana nuk pranoi të qëndronte pa prindërit e tij, të cilët ishin kthyer në Kosovë pas luftës.
“Më pritën atje, bëra provën dhe ishte e suksesshme. Atje mësuan se isha pa letra, donin të më mbanin, u thoja do rri, por jo pa prindërit që i kishin kthyer në Kosovë pas luftës”, tregon Cana.
Ai e konsideron pikërisht atë udhëtim drejt Parisit dhe kalimin e kufirit si momentin që i ndryshoi jetën.
“Kur shkova në Paris e ndjeva që shumë pak gjëra do shkonin keq. Ai kalimi i kufirit është ajo që më ndryshoi jetën”, rrëfeu Cana.
Sot, Lorik Cana është 43 vjeç dhe pas asaj periudhe të vështirë ndërtoi një karrierë të gjatë në futbollin europian. Ai ka luajtur për PSG-në, Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe Nantes.
Me Kombëtaren shqiptare, Cana numëron 94 paraqitje dhe një gol të shënuar. Për shumë vite ai veshi fanellën kuqezi me numrin 5 dhe mbajti edhe shiritin e kapitenit, duke u kthyer në një prej simboleve të përfaqësueses shqiptare.