SPORT, 8 August 2026, 10:36

Zyrtare/ Barcelona huazon kapitenin Ronald Araujo te Liverpooli, zbulohen prapaskenat e vendimit të Flick

Ronald Araujo është lojtar i Liverpoolit. Ylli i Barcelonës ka përfunduar transferimin në formë huazimi për një sezon te “The Reds”, pasi dy klubet kanë arritur marrëveshjen për mbrojtësin uruguaian.

Sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, Liverpooli do të mbulojë të gjithë pagën e Araujos gjatë periudhës së huazimit, ndërsa në marrëveshje është përfshirë edhe një opsion për blerjen përfundimtare të mbrojtësit në fund të sezonit.

Të dyja klubet, së bashku me lojtarin, kanë dhënë miratimin përfundimtar për marrëveshjen, pasi drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, dha dritën jeshile për transferimin.

Agjentët e Araujos mbërritën në Barcelonë të premten pasdite dhe e përmbyllën marrëveshjen brenda pak orësh. Kontrata e mbrojtësit uruguaian me Barcelonën është e vlefshme deri në vitin 2031, ndërsa ai nuk ka ndërmend të largohet përfundimisht nga klubi katalanas.

Mbrojtësi do t’u japë lamtumirën shokëve të skuadrës këtë mëngjes, përpara se ekipi të udhëtojë drejt Italisë për një ndeshje miqësore në format triangular kundër Udineses dhe Nottingham Forest, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.

Prapaskenat/ Biseda me Flick ndikoi në vendimin e Araujos
Ajo që e shtyu Araujon të largohej përkohësisht nga Barcelona ishte një bisedë e sinqertë me trajnerin Hansi Flick. Pas këtij takimi, uruguaiani vendosi të kërkonte më shumë minuta loje larg “Camp Nou”.

Takimi ishte planifikuar për momentin kur Araujo të kthehej nga faza përgatitore. Flick i konfirmoi atij atë që drejtori sportiv i kishte thënë agjentit të tij që në maj: plani për këtë sezon ishte që Araujo të qëndronte në të njëjtin pozicion në repartin e mbrojtjes, me minuta të kufizuara dhe një rol kryesisht dytësor.

Araujo e pranoi situatën dhe vendosi të largohej në kërkim të një alternative që do t’i ofronte më shumë mundësi për të luajtur.

Liverpooli, një prej klubeve më të mëdha të Premier League në Angli, e kishte ndjekur prej vitesh mbrojtësin uruguaian dhe më në fund arriti ta transferonte në formë huazimi.

Kapiteni i Barcelonës do të udhëtojë drejt Anglisë gjatë fundjavës, ku do të nisë një kapitull të ri në Premier League.