TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Topi me të cilin legjenda e ndjerë argjentinase Diego Armando Maradona shënoi golin e famshëm të “Dorës së Zotit” në Kupën e Botës 1986 do të nxirret në ankand këtë muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një shitje që pritet të kalojë shifrën e 10 milionë dollarëve.
Goli, i shënuar në fitoren 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë në çerekfinalet e Botërorit, më 22 qershor 1986, mbetet një prej momenteve më ikonike në historinë e futbollit.
Maradona u ngrit në ajër dhe e shtyu topin me grusht, por arbitri nuk e vuri re shkeljen dhe akordoi golin për Argjentinën.
Pas ndeshjes në Mexico City, ylli argjentinas tha se golin e kishte shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”. Argjentina vijoi rrugëtimin dhe më pas u shpall kampione e botës, pasi mposhti në finale Gjermaninë Perëndimore.
Shtëpia e ankandeve “Heritage Auctions”, me seli në Teksas, pret që topi të shitet për një shumë me tetë shifra kur të dalë në ankand më 21-23 gusht. Oferta fillestare do të jetë 2.5 milionë dollarë.
Fanella që Maradona veshi gjatë asaj përballjeje mes Argjentinës dhe Anglisë aktualisht mban rekordin si fanella më e shtrenjtë e futbollit, pasi u shit për 9.3 milionë dollarë.
Në të njëjtën ndeshje, Diego Maradona, i cili ndërroi jetë në nëntor 2020, shënoi edhe “Golin e Shekullit”, i konsideruar si goli më i bukur në historinë e Kupës së Botës.
Në atë kryevepër të futbollit, Maradona mori topin pranë vijës së mesfushës dhe dribloi pesë kundërshtarë. Më pas, pasi kaloi edhe portierin Peter Shilton, e dërgoi topin në rrjetë.
Tensionet mes Argjentinës dhe Anglisë, dy rivalëve të vjetër, u ringjallën në një gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026, ku skuadra amerikano-jugore fitoi 2-1, përpara se të humbiste finalen 1-0 ndaj Spanjës.
Në aspektin politik, të dyja vendet kanë një mosmarrëveshje të gjatë mbi sovranitetin e Ishujve Falkland, të njohur në Argjentinë si Ishujt Malvine.