AKTUALITET, 16 Gusht 2019, 14:37

Champions League/ Short me fat për Vllazninë, Mitrovica ndeshet me më të mirat

Champions League/ Short me fat për Vllazninë, Mitrovica ndeshet me

Vllaznia dhe Mitrovica kanë arritur të shkruajnë historinë duke u kualifikuar për në Ligën e Kampionëve për femra. Skuadra shkodrane dhe ajo nga Mitrovica, kanë arritur të renditen në vendin e parë në fazën në grupe dhe sot kanë njohur kundërshtarët e tyre në turin pasardhës.

Skuadra shkodrane do të përballet me ekipin danez të Fortuna Hjorring, skuadër kjo e fortë por duke parë kundërshtarët që mund të kishte përballë, mund të konsiderohet një short me fat. Vllaznia mund të peshkonte edhe skuadra si Lioni që është njëkohësisht më e forta apo edhe me emër si PSG-ja, Siti, Barcelona apo Bajern Mynihu.

Sakaq, pa fat kanë qenë vajzat e Mitrovicës, të cilat do të përballen me Volfsburgun. Skuadra gjermane e femrave, renditet në vendin e dytë sa i përket koeficientit që do të thotë se është një ndër skuadrat më të forta. Ndeshjet e para do të luhen në datat 11-12 shtator, ndërsa të kthimit në datat 25-26 shtator. Si Vllaznia, ashtu edhe Mitrovica e luan ndeshjen e parë në shtëpi.