AKTUALITET, 16 Gusht 2019, 12:05

Dhunuan turistët spanjollë, arrestohet pronari i lokalit në Himarë


Një 51-vjeçar u vu në pranga nga policia një ditë pas sherrit në një bar-restorant në “Porto Palermo”.

Siç u raportua dhe në media mesditën e djeshme një grup turistësh spanjollë janë ngritur nga restoranti pa paguar pasi nuk u ka pëlqyer ushqimi.

Pronari i lokalit dhe të njohur të tij u janë vënë pas duke u përleshur me turistët dhe duke iu dëmtuar furgonin me të cilin udhëtonin.

Policia e Vlorës tha se një turiste është plagosur gjatë përleshjes. Sakaq, pronari me iniciale M.K., 51 vjeç do të përballet tashmë me akuzat e kanosjes dhe dëmtimit me dashje.

Njoftimi i policisë:

Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 51 vjeçarit pasi:

Ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi M.K., për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup por më shumë është dëmtuar shtetasia spanjolle K.R.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”.