AKTUALITET, 9 Nëntor 2018, 13:34

Çfarë do të vendosë vettingu për prokurorin Troçi, kandidatin për KPK me probleme pasurie

Çfarë do të vendosë vettingu për prokurorin

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Ramadan Troçi, i cili është pjesë e listët prioritare të vettingut pasi është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, zhvilloi sot seancën dëgjimore përballë komisionit të pavarur të kualifikimit.

Sipas KPK, prokurori Troçi ka probleme me deklarimin dhe justifikimin e pasurisë.

Relatorja Pamela Qirko tha se ILDKPKI ka sjellë raport që deklarimet e Trocit nuk janë të sakta, ka kryer deklarim të rremë dhe ka fshehur pasurinë. Sipas ILDKPKI, Troci ka fshehur legalizimin e një objekti 32 metra katrorë në Paskuqan.

Dyshime ka edhe për blerjen e një makine Benz, për shumën 700 mijë lekë.

Prokurori Troci e ka nisur karrierën në institucionin e akuzës në vitin 2000 dhe përgjatë një dekade ka punuar si prokuror në Bulqizë dhe në Dibër. Në vitin 2012, ai u transferua në prokurorinë e Tiranës, në vitin 2014 në prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2016 punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.