BOTA, 7 Prill 2023, 23:05

"E kam mik!"/ Gjyqtari i Gjykatës Supreme në SHBA, mbron udhëtimet luksoze me miliarderin

"E kam mik!"/ Gjyqtari i Gjykatës Supreme në SHBA, mbron

Gjyqtari i Gjykatës Supreme të SHBA-së, Clarence Thomas, ka deklaruar se udhëtimet luksoze të bëra me një miliarder, donataor të republikanëve, nuk kanë shkelur rregullat. 

Një raport i ProPublica-s këtë javë, zbuloi se zoti Thomas kishte pranuar pushime nga Harlan Crow, pothuajse çdo vit, për dy dekada.

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme duhet të dorëzojnë çdo vit deklaratat e dhuratave.

Zoti Thomas tha se besonte se "kjo lloj mikpritjeje personale" nuk hynte tek këto deklarime. 

Sipas ProPublica-s, udhëtimet përfshinin disa në jahtin luksoz dhe avionin privat të zotit Crow, si dhe një javë të kaluar çdo verë në malet Adirondack.

Një udhëtim në Indonezi në vitin 2019 mund të ketë kushtuar deri në 500,000 dollarë. 

Në një deklaratë të premten, zoti Thomas tha se kishte kërkuar "udhëzime nga kolegët dhe të tjerë në sistemin gjyqësor" dhe iu tha se "kjo lloj mikpritjeje personale nga miqtë e afërt, që nuk kishin çështje para Gjykatës, nuk ishin të raportueshme".

Zoti Thomas e përshkroi zotin Crow dhe gruan e tij Kathy Crow, si "në mesin e miqve më të dashur dhe ne kemi qenë miq për më shumë se një çerek shekulli".

Virginia Canter, një ish avokate e etikës së qeverisë, që shërbeu nën administratat demokratike dhe republikane, i tha BBC News se nuk kishte asnjë tregues se zoti Thomas kishte kërkuar një mendim formal mbi këtë çështje.