AKTUALITET, 27 Prill 2019, 09:39

Biznesi i bimëve mjekësore ‘i mbytur’ nga burokracitë, fermerët pa subvencione, 5 problemet e këtij sektori

Biznesi i bimëve mjekësore ‘i mbytur’ nga


Grumbulluesit dhe eksportuesit e bimëve aromatike mjekësore, prej kohës po dorëzojnë dokumente e kërkesa në ministritë e linjës për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe uljen e burokracive. Si një nga sektorët me eksportet më të larta në bujqësi si dhe produkti i vetëm që ka njohur treg ndërkombëtar dhe që gjithashtu punëson shtresat më vunerabël dhe zona të thella, ata enden me mungesën e transparencës si dhe vështirësitë e shkaktuara nga hapat mbrapa të bëra në këtë sektor.

Shoqata e Kultivuesve, Prodhuesve dhe Eksportuesve të Esencave dhe të Bimëve Mjekësore të Shqipërisë, në një nga letrat e drejtuara ministrive rendit kërkesat e sektorit, nga të cilët nuk kërkojnë mbështetje financiare, por mbështetje ligjore.

Eksporti i esencave të përpunuara nga viti 2014 në 2018 u rrit 6 herë; Rritja me 150% në 5 vitet e fundit nuk ishte e rastësishme, por erdhi si pasojë e mbështetjes strategjike të AZHBR-së dhe Qeverisë. Ndërsa sot produktet dhe esencat e kësaj industrie eksportohen në gjithë botën, nga shtetet e Bashkimit Europian, në Australi e USA e deri në Kanada, Indi dhe Kinë.

Mbi 70% e sherebelës që hyn në SHBA është e markës “Made in Albania“, ndërsa industria sot shënon jo vetëm investitorë shqiptare, por edhe një numër të konsiderueshëm investitorësh të huaj amerikanë, turq, gjermanë edhe italianë.

Pavarësisht rritjes progresive, në 2 vitet e fundit sektori i Bimëve Mjekësore Aromatike, si një nga kontribuesit kryesorë në eksportet shqiptare, gjendet në një situatë totalisht të pafavorshme për zhvillimin e saj.

1) Janë ndërprerë 100% subvencionet e fermerëve në kultivime;

2) Janë përjashtuar nga skemat mbështetëse 100% e grumbulluesve dhe përpunuesve.

3) Janë përjashtuar kompanitë me xhiro vjetore mbi vlerën 1 milion euro nga skema e BE-së IPARD 2, kompanitë që kanë realisht kapacitetin për përthithjen e këtyre fondeve;

4) Ulja e kompensimit të TVSH-së së fermerëve nga 20 në 6 %

5) Rënia e euros me afro 20%. Efekti i saj në këtë industri që vetëm eksporton është e madhe.

6) Për të marrë një lejë për vjeljet e bimëve të egra paguhet tarifë tejet e lartë. Përpos kësaj duhen edhe 6-18 muaj kohë dhe peripeci burokratike të panevojshme. Iu japin lejen atëherë kur ka mbaruar vjelja.

7) Lejet e vjeljeve kërkojnë prokurime publike, të ngjashme me ndërtimin e një rruge publike.

8) Kërkohet lejë e veçantë transporti, duke shoqëruar me faturë nga inspektorët e pyjeve, ose siç e bën Durrësi, nga një inspektor i mbrojtjes civile (!)… Si mund të mbulohen 12 000 grumbullues me inspektor të pyjeve?!?

9) Lejet mjedisore janë të njëjta me ato të fabrikave të çimentos, të prodhimit të tullave, prodhimit të asfaltit, apo guroreve. Kjo leje kushton rreth 4 000 euro. I shtohet kësaj vlere edhe vetë monitorimi nga studio special, 3 800 euro në vit! Kjo ndodh për të punësuar ata që i kanë bërë këto rregulla dhe pastaj kanë hapur studiot private për të na zhvatur industrinë.

Të gjitha pikat kanë bërë që industria e bimëve aromatike dhe mjekësore të fillojë të tkurret në një kohë që studimet e vetë industrisë shprehen për punësimin deri në 43 mijë të punësuar të individëve të klasifikuar, nga të cilët 37 400 punëtorë në vit të vetëpunësuar nga zonat rurale dhe 5600 punëtorë të punësuar në qendrat e industrializuara, ku zhvillohet kjo industri.

• Viti 1988: Eksportet 70 milionë USD, të punësuar 110 000 veta. (Burimi: Arkiva e Shtetit);

• Viti 1997: Eksportet 7,5 milionë USD

• Viti 2014: Eksportet 29 milionë USD

• Viti 2018: Eksportet 45 milionë USD, të punësuar & vetëpunësuar me kohë të plotë, rreth 12.500 vetë./Dosja.al