AKTUALITET, 21 Nëntor 2018, 11:21

Bernd Borchardt bën thirrje për nxitim me Reformën Zgjedhore: Keqardhje për situatën në KQZ!

Bernd Borchardt bën thirrje për nxitim me Reformën Zgjedhore:

Bernd Borchardt, ambasadori i OSBE-se në Tiranë gjatë aktivitetit ‘Forumi për Zhvillimin e Medias’ ka folur për lirinë e shtypit, nismën e kryeministrit Rama për paketën antishpifje, por edhe për zgjedhjet lokale të 2019 dhe Reformën Zgjedhore.

Borchardt kërkoi nga palët që të nxitohen për Reformën Zgjedhore, pasi koha po ecën dhe disa aspekte kërkojë kohë. Ai e cilësoi si keqardhje faktin që PD nuk ka dërguar dy emrat e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar kështu një ngërç për funksionimin e mëtejshëm të këtij institucioni.

“Përsa i përket Reformës Zgjedhore koha po ecën, ka disa gjëra që kërkojnë kohë si përdorimi i teknologjisë në votim apo depolitizimi i komisioneve zgjedhore. KQZ aktualisht është me pesë anëtarë është për t’u keqardhur”, u shpreh Bernd Borchard.

Lidhur me median, ai tha se liri do te thotë një media e përgjegjshme dhe me standard, ndërsa komentoi edhe nismën e qeverisë për paketën antishpifje.

“Që të bëhet diçka në lidhje me shpifjen nuk ka gjë të keqe, por duhet kujdes. Është një vijë e hollë ndarëse e ekuilibrit të lirisë së shprehjes, duhet të bëhet bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare. Nuk duhet sanksionuar në kod penal”, u shpreh më tej ambasadori.

Ai refuzoi që të komentonte rastin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe përplasjen e tij me ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë.