AKTUALITET, 14 July 2026, 10:59

Berisha, nga Brukseli: Narkoshteti i Ramës, rrezik i madh. Të ngremë grupe të posaçme për kartelet! Shqipëria nuk mban zgjedhje, por vetëm farsa

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi nga Brukseli kryeministrin Edi Rama për lidhjet me kartelet e drogës dhe krimin e organizuar.

Kryedemokrati ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI-së, organizatës më të madhe politike të qendrës së djathtë në botë, ku ai mban detyrën e zv/presidentit.

Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha ka propozuar ngritjen e një grupi të posaçëm pune për kartelet e drogës dhe krimit dhe lidhjet e tyre me pushtetin.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se narko-shteti i Edi Ramës është kthyer në rrezik të madh për vendin dhe se Shqipëria nuk organizon më zgjedhje, por vetëm farsa elektorale.

Ai kërkoi ngritjen e grupeve të posaçme për goditjen e karteleve të drogës dh e akuzoi qeverinë të lidhur me krimin e organizuar, duke ngritur një narkoshtet që rrezikon edhe Evropën.

Organizata e Qendrës së Djathtë Demokrate zhvilloi në 13 korrik 2026, asamblenë e Përgjithshme në Bruksel.

 Fjala e plotë e Sali Berishës:

“Zoti President. Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj ju dhe CDI-n për mbështetjen shumë të çmuar dhe të palëkundur që i keni dhënë Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe vendit tim. Mbështetja juaj ka qenë një ndihmë e madhe. Po ashtu, shumë e rëndësishme ka qenë edhe mbështetja e EPP-së, IDU-së dhe raportet e AFET-it. Raportet e IDU-së, CDI-së, EPP-së dhe AFET-it kanë qenë shumë të dobishme për të hedhur dritë mbi zhvillimet dramatike në vendin tim.

Shqipëria është një nga narko-shtetet më të fuqishme në botë. Ajo qeveriset nga organizata kriminale.

Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj vetëm te një e dhënë, për të kuptuar se ku ndodhet vendi im. Në Shqipëri, euroja, një nga monedhat më të mëdha dhe më të forta në planet, është zhvlerësuar me 32% gjatë 10 viteve të fundit. Në Meksikë, ky zhvlerësim është 17%. Ndërkohë, i vetmi zhvlerësim tjetër i euros në Europë ka ndodhur në Zvicër, rreth 10% ose 8%, me një ekonomi prej 1 trilion eurosh. Ndërsa ekonomia e Shqipërisë është vetëm 15 miliardë euro.

Shqipëria është eksportuesja më e madhe e kanabisit në Europë, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, me siguri, dhe ndoshta edhe drejt destinacioneve të tjera.

Portet tona janë tërësisht në duart e karteleve të drogës. Tërësisht. Prej pesë vitesh ose më shumë, në portet tona nuk është kapur asnjë kilogram drogë, sepse ato kontrollohen nga kartelet e drogës.

Kartelet e drogës në vendin tim kanë në duart e tyre të gjitha lejet e ndërtimit dhe të gjithë kontrollin mbi zonat bregdetare.

Pak ditë më parë, ndoshta jeni në dijeni, në vendin tim po zhvillohet një lëvizje shumë e fuqishme popullore gjatë kësaj periudhe. Por pak ditë më parë u botua një libër i veçantë me titull “Libri i Kuq, Dosjet Sekrete të Shqipërisë”. Ky libër trajton 523 projekte të mëdha në peizazhet më të bukura të Shqipërisë, në bregdet ose në zonat malore, për të cilat askush nuk kishte dijeni.

Kryeministri, kreu i organizatës kriminale, e konsideron vendin si çifligun e tij, si një sulltan i shekujve të kaluar, që mund të vendosë për gjithçka. Shumica e këtyre projekteve janë nxjerrë nga zonat e mbrojtura.

Prandaj, Zoti President, besoj se organizatat tona duhet të krijojnë një grup të posaçëm pune për kartelet e drogës, narko-shtetet dhe trafikun. Kjo do të ishte një ndihmë shumë e madhe, sepse vende të tilla nuk janë të rrezikshme vetëm për veten e tyre, por janë të rrezikshme për rajonin dhe madje edhe përtej tij.

Nuk do të zgjatem më tej, sepse koha është e kufizuar. Por unë e konsideroj se në vendin tim nuk ka zgjedhje; ka vetëm farsë. Ata vendosin për gjithçka. Ju faleminderit shumë për vëmendjen”.