TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji akuzon Sali Berishën për marrëveshje të fshehura me kryeministrin Edi Rama. Salianji shkruan se Berisha i ka falur Ramës reformën zgjedhore dhe atë territoriale, duke mos shkuar në komisione e duke mos bërë propozime konkrete.
“Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim serioz për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nuk kërkon lista 100% të hapura, nuk kërkon sistem proporcional kombëtar dhe nuk mbron të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt deputetët... Vetëm një javë para përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë alternativë për mënyrën se si opozita mendon se duhet të organizohet ndarja e re administrative e vendit”, shkruan Salianji.
Salianji ka komentuar dhe bojkotin e seancave plenare nga opozita duke thënë se është një vendim i Berishës, me të cilin deputetët nuk janë dakord. Ai i referohet mesazheve që deputetët kanë shkëmbyer në një grup WhatsApp-i ku kërkojnë të marrin pjesë në seanca.
Ish-deputeti shkruan se pas këtij vendimi të Berishës fshihet marrëveshja me Ramën, por që ai e justifikon me frikën e vezëve të protestuesve.
“Kundër bojkotit kanë qenë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën”, shkruan Salianji.
Postimi i Ervin Salianjit
Bojkoti i seancës plenare për shkak të frikës së vezëve është ironia më e madhe e 14 viteve të dergjes së demokratëve në opozitë.
Kundër bojkotit kanë qenë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën.
Vezët janë veç një justifikim banal dhe i ulët.
Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen.
Dy pazare të mëdha në kurriz të opozitës dhe të qytetarëve po bëhen ndërkohë!
Pazari i parë është reforma zgjedhore. Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim serioz për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nuk kërkon lista 100% të hapura, nuk kërkon sistem proporcional kombëtar dhe nuk mbron të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt deputetët. Po braktis një nga kerkesat kryesore të protestuesve dhe po hesht edhe për propozimet e paraqitura nga Forumi për Dialog mes partive opozitare.
Pazari i dytë është reforma territoriale. Vetëm një javë para përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë alternativë për mënyrën se si opozita mendon se duhet të organizohet ndarja e re administrative e vendit. Pas turit të përbashkët me Edi Ramën në çdo qendër qarku, ku kontribuoi në përqendrimin e përfaqësimit politik në pak duar, tani po ia dorëzon në heshtje edhe reformën territoriale, pa debat, pa transparencë dhe pa asnjë vizion alternativ për Shqipërinë. Berisha gjasme bojkoton Rama e kalon sipas qejfit reformen territoriale.
Bojkoti i Kuvendit nuk është akt rezistence ndaj Edi Ramës; është mbulesa e radhës për pazaret që po bëhen larg syve të qytetarëve.