TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje maturantëve dhe nxënësve në të gjithë vendin të bojkotojnë mësimin në shenjë solidariteti me protestën studentore, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama.
Në konferencën me gazetarët ditën e sotme, Berisha e cilësoi protestën studentore si një revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
Ai u bëri thirrje mësuesve, pedagogëve, bizneseve, mjekëve dhe infermierëve që t’u bashkohen studentëve, duke theksuar se indiferenca ndaj protestës është zgjedhja më e keqe.
“U bëj thirrje biznesmenëve të bashkohen me studentët. Mos bini viktimë e narkopropagandës. Këto vajza dhe djem, që po përballen si luanë me narkopolicinë, nuk e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë për shoqërinë, por edhe për bizneset tuaja, për shtetin ligjor, për suksesin tuaj. Nuk është e drejtë që në Tiranë dhe në rrethe të derdhen dhjetëra mijëra të rinj kurse ti të mos shpallësh një grevë në solidaritet me ta”, tha Berisha.
Në deklaratën e tij, Berisha ka dënuar atë që e cilëson si dhunë të rëndë policore ndaj protestuesve, duke pretenduar se disa prej tyre kanë pësuar dëmtime serioze fizike.
Ai ka akuzuar kryeministrin Rama për përgjegjësi politike lidhur me ndërhyrjet e policisë dhe ka kërkuar që personat përgjegjës për dhunën të mbajnë përgjegjësi.
Fjala e plote
Universitetet e vendit si kurrë ndonjëherë ,nga dhjetori i vitit 1990, janë hedhur të gjitha në grevë të përgjithshme.
Studentët shqiptarë, në të katër anët e Shqipërisë, janë në protestën më të fuqishme studentore që ka njohur vendi.
Bashkë me studentët janë dhjetëra mijëra gjimnazistë, të cilët kanë dalë krah tyre dhe kërkojnë largimin, dorëheqjen e menjëhershme të personit që trajtoi Shqipërinë si një Padrino. Të armikut të egër të ekzistencës së shqiptarëve.
Të zjarrvënësit të pamëshirë të ëndrrave, idealeve demokratike.
Të zjarrvënësit të pamëshirë të shpresave të shqiptarëve.
Kurrë në historinë e këtij vendi, një regjim, një person, kryeministër, mbret, president apo sulltan, qoftë dhe guvernator i pushtuesve nuk ka shtypur, nuk ka rrënuar ekonomikisht, nuk ka vjedhur miliarda e miliarda me organizatën e tij kriminale siç ka bërë Edi Rama.
Edi Rama ndërtoi parajsën e tij mbi drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Ndërkohë, theksoj dhe njëherë, hodhi në flakë, në zjarr ëndrrat e mbi 47% të shqiptarëve që u detyruan të marrin rrugët e dheut nga varfëria dhe skamja e këtij vendi.
Hodhi në zjarr, dogji me zjarr shpresat e një kombi, e shqiptarëve që vendi i tyre të bëhet.
Dogji në flakë dhe zjarr qenien, vetë qenien shqiptare, e dëmtoi sa askush tjetër.
Në reagimin e tij, pak të thuash shtazor, ndaj protestës paqësore të studentëve, theu kocka dhe çau kafka si askush tjetër ndaj tyre.
Ndaj dhe, duke përshëndetur me përzemërsi këtë revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët, dënuar me forcën më të madhe dhunën, terrorin, egërsinë shtazarake të narkobanditëve, të urdhëruar nga Edi Rama, u bëj thirrje të gjithë nxënësve, maturantëve në mbarë Shqipërinë të bojkotojnë mësimet, shkollën për të shpëtuar ëndrrën e tyre më të bukur.
Për të shpëtuar të ardhmen e tyre.
Jo vetëm të tyren, por të familjeve, të shoqërisë dhe vendit nga ky zjarrvënës që nuk e kanë parë kohërat.
U bëj thirrje mësuesve, pedagogëve të bashkohen me nxënësit dhe studentët e tyre, të mos harrojnë se mësimi i parë, neni i parë i misionit të tyre është që ata në çdo rrethanë duhet të jenë me nxënësit dhe studentët e tyre.
Duhet të jenë në anën e tyre.
Asnjë tentativë, siç po ndodh në disa raste, për të kërcënuar studentët dhe nxënësit, nuk do mbetet pa ndëshkuar.
Mësueset, mësuesit dhe pedagogët janë idhuj për nxënësit, nxënëset dhe studentët, për virtytet dhe figurën e ndritur të tyre. Nuk duhet ta nxijnë këtë figurë, nuk duhet ta errësojnë këtë figurë.
U bëj thirrje biznesmenëve të bashkohen me studentët.
Mos bini viktimë e narkopropagandës.
Këto vajza dhe djem, që po përballen si luanë me narkopolicinë, nuk e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë për shoqërinë, por edhe për bizneset tuaja, për shtetin ligjor, për suksesin tuaj.
Nuk është e drejtë që në Tiranë dhe në rrethe të derdhen dhjetëra mijëra të rinj kurse ti të mos shpallësh një grevë në solidaritet me ta.
Sigurisht ke frikë nga sanksionet, por atij po i thyhen kockat, po i çahet kafka dhe po e bën për ty.
Është e pafalshme indiferenca e bizneseve të vogla ndaj tyre, nuk mund të keni kurrë aleatë si ata.
U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët.
Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimin sistemin shëndetësor.
Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.
Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij.
Indiferenca është zgjedhja më e keqe.
Ndaj bashkohuni me protestuesit.
PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore.
Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen.
Është tërësisht i pashpresë.
Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen.
Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët.
Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve