AKTUALITET, 7 Janar 2018, 19:38

Barça argëtohet me Levanten, Suarez hyn në histori: 400 gola si profesionist

Barça argëtohet me Levanten, Suarez hyn në histori: 400 gola si

Barcelona ka vazhduar serinë e fitoreve bindëse në kampionat, duke filluar vitin 2018 me një fitore të thjeshtë 3-0 ndaj Levantes.

Ndeshja e sotme, ku Dembele shfaqej përsëri si titullar duke lënë pas dëmtimin që e kishte mbajtur jashtë për tre muaj, u zgjidh që në minutat e parë. Një kombinim i shkëlqyer mes Lionel Mesit dhe Zhordi Alba u finalizua nga argjentinasi me një goditje të kalibruar që përfundoi pas krahëve të portierit Oier.

Në minutën e 38, ndeshja ishte praktikisht e përfunduar, pasi në listën e golashënuesve u shkrua edhe emri i Luis Suarez. Ai finalizoi një kombinim me Serzhi Roberton, duke realizuar atë që është goli i tij i 400 si profesionist (351 me klube dhe 49 me Kombëtaren). Ky ishte goli i 132-të i tij me Barcelonën, duke kaluar Eto’o, për t’u bërë golashënuesi i 7 më i mirë në historinë e klubit katalanas.

Ndërkaq, rezultati përfundimtar i kësaj sfide u vulos nga Paulinjo me golin e tij në minutat shtesë të takimit. /vipsport.al/