AKTUALITET, 7 Janar 2018, 19:31

Rezultat i bujshëm në turin e tretë, eliminohet Arsenali, fituesi në fuqi

Rezultat i bujshëm në turin e tretë, eliminohet Arsenali, fituesi

Kupa FA humb fituesin në fuqi të turneut që në turin e tretë të këtij aktiviteti. Arsenali i ka dhënë lamtumirën turneut që e ka gjithmonë ndër prioritetet e sezonit pas një disfate turpëruese që nuk është mbyllur pa polemika kundër Notingem, me rezultatin 4-2.

Dy gola të Erik Liçajt në pjesën e parë, i dyti një goditje e rrallë, si dhe penalltitë e Brereton dhe Dauell siguruan këtë sukses për ekipin vendas, ndërsa Mertesaker dhe Uellbek gjetën rrugën e rrjetës për “topçinjtë”.

Megjithatë ndeshja nuk u mbyll pa polemika në minutat e fundit. Kur rezultati ishte 3-2 dhe Arsenali po kërkonte me ngulm golin e barazimit, Notingem fitoi një penallti. Dauell shënoi nga pika e bardhë duke rrëshqitur dhe prekur topin edhe me këmbën tjetër ndërsa godiste, por gjyqtari kryesor e cilësoi të rregullt gjuajtjen e tij duke sinjalizuar për golin e rezultatit që më pas do të rezultonte ai që do të vendoste rezultatin përfundimtar 4-2.