TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj bandës së vrasësve me pagesë drejtuar nga Admir Tafilaj, Prokuroria e Tiranës, ende nuk i ka mbyllur hesapet me disa prej bashkëpunëtorëve të kësaj bande.
Një prej tyre është edhe pronari i një lokali në periferi të kryeqytetit, Ardian Ozuni, i thirrur ndryshe me pseudonimin “Cufe”. Emri i Ozunit ka dalë nga dëshmia e dhënë prej të penduarit të kësaj bande, Kristi Pine.
Sipas të penduarit Pine, ka qenë Ardian Ozuni personi i cili ka paguar 15 mijë euro për të vrarë shtetasin Edmond Çakmashi. Ozuni sipas Pines i ka ndihmuar edhe për të shkuar pranë familjes së Çakmashit në Shkozë, duke i vënë në dispozicion makinën e tij.
Personi nën hetim Ardian Ozuni nuk i ka pranuar deklarimet e Pines, duke thënë se janë të pavërteta. Për këtë qëllim është kryer një ballafaqim në Gjykatën e Tiranës.
TPZ.AL mësoi se në një prej sallave të gjyqit në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës, pasditen e së martës është shoqëruar nga qelitë e burgut, i penduari Kristi Pine. Është kryer një seancë ballafaqimi me shtetasin nën hetim Ardian Ozuni, i cili dyshohet se ka paguar së bashku me Admir Tafilaj për të vrarë Edmond Çakmashin.
Para gjyqtarit Sokol Pasho, Pine ka folur hapur. Është shprehur se nuk i ndryshon asnjë presje deklarimeve që ka dhënë si para prokurorëve, ashtu edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai është shprehur se Ardian Ozuni ka qenë porositësi për vrasjen e Edmond Çakmashit njëkohësisht edhe bashkëpunëtor në këtë vrasje, e cila sipas tij mbeti në tentativ. Madje Pine ka rrëfyer edhe një herë skemën se si është kontaktuar nga Alfred Qefalia, porositë që mori në emër të Admir Tafilaj, njohja me Ardian Ozunin, rruga që ndoqi së bashku me ta për të njohur Edmond Çakmashin dhe finalizimi.
Kristi Pine, në bashkëpunim me Alfred Qefalinë dhe Ardian Ozunin kanë kryer vrasjen e mbetur në tentativ të shtetasist Edmond Çakmashi.
Në përfundim të gjykimit, Pine u dënua me 10 vite burg, për shkak se fitoi statusin e të penduarit, Alfred Qefalia me 37 vite, Admir Tafilaj me burgim të përjetshëm. Për Ardian Ozunin, prokuroria vazhdon hetimet.
Atentati ndaj Edmond Çakmashit
Më 05.09.2014, në lagjen “Shkozë” të qytetit të Tiranës, Kristi Pine në bashkëpunim me Alfred Qefalian kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Edmond Çakmashin, i njohur me emrin “Çako”. Për këtë vrasje Admir Tafilaj në muajin gusht të vitit 2014 i ka kërkuar Pines që të takohej me Alfred Qefalian, pasi ai kishte një punë. Si fillim, Pine nuk ka dashur ta takojë Qefalian, pasi ka kuptuar që bëhej fjalë për të kryer një vrasje, pasi ai ishte ende shumë i tronditur nga vrasja që kishte kryer në Shkodër. Pas këmbënguljes së Admirit, e ka takuar dhe Alfredi i ka kërkuar që të realizonin një vrasje bashkë të një personi dhe për këtë paguheshin 15.000 euro. Kristit i janë dukur shumë pak dhe për këtë nuk ka pranuar, por Tafilaj i ka kërkuar përsëri që të shkonte dhe ta takonte Alfred Qefalian. Më pas, Pine ka pranuar dhe ka shkuar ka takuar Qefalian, me qëllim kryerjen e vrasjes së Edmond Çakmashit. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se këtë vrasje e ka kryer pasi ia ka kërkuar Alfred Qefalia, të cilën ia kishte kërkuar i thirruri “Cufe”, që është pronari i lokalit “Las Palmas” dhe që u identifikua si shtetasi nën hetim Ardian Ozuni. Për këtë vrasje do të paguhej 15.000 euro. Ky i fundit ia ka treguar fizikisht Edmond Çakmashin që ishte banor në lagjen “Shkozë”. Për këtë ata kanë shkuar disa herë në këtë lagje, ku kanë fiksuar banesën, mjetin me të cilin lëvizte ky shtetas, që ishte tip “Audi”, vendin ku e parkonte dhe kohën kur dilte ose hynte në banesë. Ditën e ngjarjes, Ardian Ozuni, i thirrur “Cufe”, ka lënë një mjet tip fuoristradë në Farkë, me të cilën autorët do të afroheshin dhe largoheshin pas kryerjes së krimit. Gjatë gjithë ditës që është realizuar krimi, kanë qëndruar te lokali “Las Palmas”, në pronësi të Ozunit. Tentativën e parë për të vrarë Edmond Çakmashin, Kristi Pine e ka bërë në datën 03.09.2014, kur ka shkuar së bashku me Alfred Qefalian dhe Klajdi Shermadhin.
Sipas marrëveshjes, vrasjen do ta kryente Klajdi dhe Kristi me Alfredin do ta shoqëronin. Por, kur kanë shkuar pranë banesës së Edmond Çakmashit, Kristi dhe Alfredi kanë parë që Klajdi ishte shumë i emocionuar dhe i dridheshin duart kur mbante armën në dorë. Në këto kushte, Kristi dhe Alfredi e kanë lënë Klajdin në mjet dhe kanë shkuar për të kryer ekzekutimin. Por duke qenë se Alfredi ka ngatërruar rrugën për te banesa e Edmondit, janë vonuar, dhe kur kanë shkuar, kanë konstatuar që Edmondi kishte hyrë në shtëpi, pasi mjeti i tij ishte i parkuar para banesës. Ditën e ngjarjes, Ardian Ozuni, i thirrur “Cufe”, ka lënë një mjet tip fuoristradë në Farkë me të cilën autorët do të afroheshin dhe largoheshin pas kryerjes së krimit. Gjatë gjithë ditës që është realizuar krimi, kanë qëndruar te lokali i sipërpërmendur dhe në orën 19:30, shtetasit Kristi Pine, Alfred Qefalia, Ardian Ozuni dhe dhëndri i tij, shtetasi Dhimitër Zito, janë nisur për në Farkë te vendi ku kishin lënë mjetin fuoristradë me automjetin “Benz Aklas” të Ardian Uzunit. Ky i fundit ka qenë në timon, dhëndri në vendin e parë, dhe në sediljen e dytë shtetasit Alfred Qefalia e Kristi Pine, dhe gjatë rrugës kanë biseduar lidhur me kryerjen e vrasjes dhe armët me të cilat do të realizohej. Alfredi dhe Kristi kanë zbritur nga mjeti dhe kanë shkuar kanë marrë fuoristradën për të shkuar në Shkozë, ndërsa shtetasi Ardian Ozuni dhe dhëndri i tij janë kthyer për në lokal. Rreth orës 09:00 të mbrëmjes kanë qenë te nënstacioni në Shkozë, pranë banesës së shtetasit Edmond Çakmashi. Kristi ka pasur me vete një armë tip “Zastava” dhe Alfredi një pistoletë tip “Beretta”, të dyja me silenciator, që ua kishte dhënë Ozuni. Kristi Pine ka zbritur nga mjeti, ndërsa Alfredi ka pritur në makinë dhe ka shkuar midis pallateve, ku rastësisht ka parë mjetin e personit që do të vriste, i cili po fliste me telefon. Sapo e ka parë Kristin, Edmond Çakmashi ka ndezur dritat e mjetit.
Kristi ka vënë dorën në fytyrë për të mos u verbuar dhe kur ka kaluar pranë mjetit ka parë targën për t’u siguruar nëse ishte mjeti i duhur. Pasi është siguruar, ka shkuar pas një pallati, ka vënë në dorë dorezat, ka mbushur pistoletën dhe është kthyer në të njëjtën rrugë, duke u afruar te makina nga krahu i shoferit. Personi ishte ulur në sediljen e timonit, mbështetur dorën në derë dhe po fliste në telefon. Xhami ishte i hapur dhe dëgjohej muzika e mjetit. Kristi Pine ka qëllua disa herë në drejtim të kolonës së mesit të mjetit, duke pretenduar se nuk kishte për qëllim ta vriste personin. Pas këtij momenti, Kristi është larguar me vrap për te mjeti ku e priste Alfredi dhe së bashku janë larguar me mjet në drejtim të Farkës, ku e kanë lënë mjetin në një vend dhe më pas kanë ecur në këmbë disa kilometra dhe kanë shkuar në banesën e Alfredit, ku kanë fjetur atë natë. Në një vend kanë hedhur pistoletën tip “Zastava” me të cilën është qëlluar. Të nesërmen kanë shkuar te lokali “Las Palmas”, ku kanë takuar Ardian Ozunin, i cili u ka bërtitur duke i thënë Alfredit: “Përse nuk e mbaruat”. Pas kryerjes së veprimit, Kristi i ka kërkuar Alfredit gjysmën e shumës që ishte premtuar, pasi ai kishte qëlluar në drejtim të personit, pra 7.500 euro. Por Alfredi nuk ia ka dhënë, me pretendimin se personi që i kishte kërkuar “Cufes” këtë vrasje ishte zhdukur dhe nuk kishte paguar.
TPZ.AL