BALLKAN, 26 Qershor 2023, 19:21

Tensionet në Veri të Kosovës, sekretari i Jashtëm britanik takohet me Kurtin, zbardhen kërkesat

Tensionet në Veri të Kosovës, sekretari i Jashtëm britanik

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi është zhvilluar në Londër, ndërsa në qendër të diskutimeve ka qenë situata e tensionuar në Veri të Kosovës.

Sekretari i Jashtëm theksoi nevojën që qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues për të ulur tensionet, duke ripërsëritur kërkesat që kanë parashkruar aleatët ndërkombëtarë.

Sekretari i Jashtëm nënvizoi se Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi të veprojnë tani për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të shmangur çdo veprim apo retorikë të mëtejshme nxitëse. Ai gjithashtu përshëndeti edhe lirimin e tre policëve të Kosovës, të cilët u ndaluan me 14 Qershor nga forcat serbe ndërsa e cilësoi si një hap për të vazhduar përpara me dialogun.

“Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj si një shtet i pavarur, multietnik në një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë. Siç ia kam bërë të qartë kryeministrit Kurti, tensionet e vazhdueshme vënë në rrezik arritjet e arritura me vështirësi në Kosovë gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë.” theksoi Cleverly.