BALLKAN, 6 Nëntor 2022, 19:51

“Serbët të kthehen në institucione”, ambasadori amerikan në Beograd reagon për tensionet në veri të Kosovës

“Serbët të kthehen në institucione”, ambasadori

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës, pas largimit të përfaqësuesve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Hill u ka bërë thirrje zyrtarëve serb të kthehen në institucione dhe se Kosova duhet të formojë Asosacionin dhe t’i pezullojë menjëherë masat për targat.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha Hill .

Më tej Hill ka bërë me dije se Shtete e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit mes Kosvës dhe Serbisë rrezikojnë përparimin e rëndësioshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave. Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe t’i respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill.

Ambasadori i SHBA-ve në Serbi u bëri thorrje të dyja palëve të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë.