AKTUALITET, 22 September 2026, 13:46

Vendimi/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi masën “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën shtrënguese të “arrestit me burg” ndaj Ergys Agasit, një prej figurave kyçe të dosjes së bujshme të AKSHI-t. I njëjti vendim është marrë për ish-efektivin Ulian Shpataraku. Ky i fundit ndodhej në automjet me Agasin ditën e arrestimit.

Vendimi i plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:

– Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.