TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës për hapjen e Urës së Ibrit e ka përkrahur edhe Qeveria e Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, Qeveria thekson se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim.
“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”.
Këshilltarët komunalë në veri të Mitrovicës e miratuan kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër, të premten e shkuar. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli.
Por për rihapjen e urës, emisari evropian, Miroslav Lajçak thotë se nuk është koha.
“Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës.
Për këtë çështje është deklaruar edhe misioni i KFOR-it.
“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR për rtv Dukagjinin.
Drejtuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut Nexhat Ugljani deklaroi se puna e tyre ka mbaruar me procesin e votimit të kërkesës dhe se tashmë çështja e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve i mbetet Ministrisë së Punëve të Brendshme, asaj të Pushtetit Lokal dhe misioneve paqëruejtese ndërkombëtare, KFOR-it e EULEX-it.
Në anën tjetër “Lista Serbe” ka paralajmëruar trazira nëse ndodh diçka e tillë. Petar Petkoviq e ka cilësuar si “provokim” të kryeministrit Albin Kurti nè prag të takimit të 2 majit në Bruksel.