TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e ‘1 muaj paraburgim’ për tre autorët e dyshuar për dhunimin e gazetarit Valon Syla. Behet fjalë për shtetasit me inicialet L.D., K.H., dhe O.H., të cilët akuzohen për veprën “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sulmi ndaj gazetarit ndodhi më 11 prill në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Masa e paraburgimit për tre të dyshuarit, nga gjykata është caktuar me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjykata vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit për tre të pandehurit, sepse “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen” dhe se ekziston rreziku se të njëjtit mund të arratisen, t’i shmangen ndjekjes penale.
“Të pandehurit nëse do të mbeten në liri mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar edhe në dëshmitarët si dhe mund ta përsërisin veprën penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Një ditë pas sulmit, Syla, në një postim në llogarinë e tij në Facebook shkroi se u sulmua, siç pretendon ai, për shkak të disa postimeve kritikuese të tij për disa udhëheqës fetarë. Në reagimin e tij, ndër tjerash, Syla tha se “fjala është e lirë” dhe se “të gjithë ata që predikojnë kundër lirive, nuk janë as për paqe e as për liri”.
Sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla e ka çuar në dhjetë numrin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve që ka regjistruar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) deri më tani këtë vit.