AKTUALITET, 28 Mars 2019, 13:49

Balla: Do bëjmë Vettingun edhe në politikë. Rusët koordinuan protestat në Ballkan

Balla: Do bëjmë Vettingun edhe në politikë. Rusët

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, numri 2 i Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi ashpërsim të ligjit për financimin e partive politike, marrë shkas nga hetimet për paratë që PD ka lobuar në SHBA dhe s’janë deklaruar në KQZ.

Balla tha se Basha nuk ka të drejtë morale për të folur, pasi sipas tij, ai ka paguar para të cilat vijnë nga Rusia.

“Ajo që i vë vulën përpjekjes tonë është numri i dënimeve për korrupsion. Në 5 vitet e fundit janë 1303 persona të dënuar për korrupsion. Më herët janë më pak. Ajo është ajo që na dallon nga ato politikanë të korruptuar që me SMS urdhërojnë persona të inkriminuar që të dhunojnë djemtë dhe vajzat që mbrojnë institucionet e shtetit.

Gjej rastin të kërkoj ashpërsimin e këtyre veprave penale, të atyre që dhunojnë institucionet e shtetit dhe policët. Nuk rrija dot pa përmendur atë që kam thënë gjithnjë. Duhet të forcojmë një ligj tjetër atë të financimit të partive politike.

PD ishte parti e parë, që sot dëshmohet të jetë peng i një financimi të dyshimtë me burim rus prej më shumë se 1 milionë dollar,”-deklaroi Balla.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Balla hodhi aludime se financimet ruse kanë ndikuar edhe në koordinimin e protestave në Ballkan.

“Kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e politikës, kjo është situata e përkryer që Rusia të fitojë terren, tha amerikani dje. Provat e shfaqura nga Mother Jones, ende sot, PD dhe jo Lulzim Basha.

Basha nuk ka të drejtë morale. Ajo që ka mbetur nga PD duhet të distancohet, pasi kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk është rastësi që në 16 shkurt dhe 16 mars të organizohen protestë në Tiranë, Podgoricë dhe Beograd. Madje edhe ora e protestës është e njëjtë. Basha sot është një huligan,”- akuzoi Balla.

Kryetari i grupit të PS bëri me dije sot se mazhoranca është e hapur për të pranuar propozimin e hedhur nga PD rreth 1 vit më parë për Vettingun në Politikë.

“Ne kemi qenë për Vettingun në Drejtësi, për Vettingun në Polici dhe do shkojmë edhe tek Vettingu në politikë. Ky ligj ka marrë votat e LSI para një viti, LSI ishte në gjumë atë ditë dhe nuk e dinte ç’votonte.

Ndryshimet e sotme janë për të larguar të paaftët dhe të korruptuarit,”- u shpreh Balla./dosja.al/