AKTUALITET, 28 Mars 2019, 11:31

Ish-deputetët e LSI: Do shembim sistemin e antivlerave, largohu Edi Rama

Ish-deputetët e LSI: Do shembim sistemin e antivlerave, largohu Edi Rama

Ish-deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi gjatë fjalës së saj në protestën e opozitës para Kuvendit tha se “do shembim sistemin e antivlerave”.

“Misioni ynë një të ardhme më të mirë për të rinjtë shqiptarë”

Fjala e saj e plotë:

Floida Kërpaçi

Të dashur qytetarë. Të dashur të rinj e të reja. Sot jemi përballë këtij Parlamenti, Parlamentit të krimit, parlamentit që ka larguar të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria.

Edi Rama ka larguar mbi 400.000 qytetarë shqiptarë, ka larguar të rinjtë nga vendi jonë, ka larguar shpresën, ka vrarë të ardhmen e të rinjve në vendin tonë, sepse sot për të rinjtë nuk ka arsim cilësor, sepse sot për të rinjtë dhe familjet shqiptare nuk ka mundësi punësimi, sepse sot për shkak të këtij kryeministri Shqipëria nuk është më shtëpia jonë, prandaj është misioni jonë, është detyra jonë, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve dhe të gjithë të themi Rama ik.

Largohu Edi Rama, largohu për të ngritur një sistem të ri. Ne do shembim sistemin e antivlerave që ti ke ngritur, ku një i ri që do të punojë, do të krijojë një të ardhme, do të ketë një arsim cilësor, nuk ka mundësi në Shqipëri, sepse sot të rinjve u ofrohet modeli i të qenit trafikant, i lidhur me drogën dhe i lidhur me krimin.

Ne do ta shembim këtë sistem, dhe do të ngremë sistemin e vlerave, sistemin për një Shqipëri më të mirë. Rama ik të gjithë bashkë.

Ky është misioni jonë, misioni për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e të rinjve, shtëpinë e shqiptarëve, shtëpinë për të pasur një jetë më të mirë, me punësim të mirë paguar, me një të ardhme më të mirë, ku garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje ku garantohet një qeveri që punon për qytetarët, që punon për familjet shqiptare dhe që të mos jetë e lidhur dhe të mos jetë në shërbim të një grupi njerëzish dhe një grushti kriminelësh që i shërbejnë Edi Ramës.

Mjaft më. Koha jote mbaroi. Tani është koha e të rinjve, është koha e të rejave.

Silva Caka

Mendoj se duke përfaqësuar secili prej nesh familjen tonë, do përfaqësojmë edhe të gjitha familjet shqiptare. Shpeshherë jemi akuzuar se që në momentin që kemi dorëzuar mandatet ne nuk përfaqësojmë më as veten tonë. Por sigurisht që unë sot përfaqësoj veten time, jam një 31-vjeçare, nënë e dy djemve që nuk ka asnjë garanci, jo sot që janë shumë të vegjël por edhe kur të rritën nëse do të jemi ende në tentakulat e Edi Ramës. A do të kem unë garanci si një nënë e re që fëmijët e mi do të marrin shërbimin e duhur mjekësor kur të sëmurën.

A do të kem unë siguri si nënë e re që fëmijët e mi do të edukohen në mënyrën e duhur kur të rriten, me këtë sistem arsimor që ky njeri e shkatërroi.

A do të kem unë garanci si vajza e një prindi të sëmurë që i nënshtrohet kimioterapisë që kushton 1500 euro në ditë dhe ky që ka vjedhur me shumë se kushdo nuk e përballon dot 1500 euro kimioterapi në ditë. A kam unë garanci sot si vajza e një prindi që shëndetësia që ky e shkatërroi do të shkojë në shinat e duhura ndonjëherë?

Me Edi Ramën nuk mendoj se do të shkojë kurrë. A kam unë garanci si vajza e dy prindërve që ky zotëria i pushoi nga puna në moshën 60 vjeçare. Ku do të shkojnë prindërit e mi dhe të gjithë ju nëse ju pushojnë në moshën 60 vjeçare. A jeni më ju të zotët të gjeni një punë?

Unë mendoj që në kushtet e Shqipërisë një njeri e ka të pamundur, e ka shumë të vështirë. Unë jam një 31 vjeçare që nëse nxjerr fëmijët e mi shëtitje nga liqeni, mund të shoh që vriten njerëz në mes të ditës. A kam unë sot garanci për 31 vjeçarët, a ka garanci për ata që janë më të rinj. A ka më sot vend në Shqipëri për ata që ikin çdo ditë dyerve të ambasadave.

Duan të ikin një orë e më parë sepse është kanceri më i madh dhe më agresiv i këtij vendi, metastazat e tij i ka përhapur kudo dhe duhen shkulur me rrënjë. A ka më sot garanci që ne realisht jemi duke jetuar në një vend demokratik?

Deri para pak kohësh konsiderohej si periudhë tranzicioni, një demokraci e brishtë. Sot jemi në kushtet e një autokracie të vendosur nga Edi Rama. Dhe misioni i secilit prej nesh është ta zhdukim një orë e më para nga Shqipëria.

Klajda Gjosha

Është për t’u admiruar qëndresa juaj, vullneti juaj për të çuar përpara një Shqipëri evropiane, një Shqipëri të lirë, Shqipërinë e qytetarëve shqiptarë. Sot jemi këtu pa flamuj partiak, jemi për shqetësimet tona, jemi për të papunët, jemi për ata që kërkojnë ndihmë ekonomike në dyert e zyrave të punës dhe nuk e marrin dot.

Sepse nuk kanë bukë te hanë, jemi për fermerët, për ata që e derdhën qumështin në rrugë, për ti dhënë një mesazh kësaj qeverie. Atë qumësht që në fakt duhet ta pinë ata fëmijë që nuk e kanë bukën, që familjarët e tyre nuk i ushqejnë dot, jemi këtu për studentët. Për Astirin, për ata banorë që po humbasin shtëpitë e tyre, po humbasin jetën e tyre. Jemi këtu për të gjithë ata shqiptarë që po largohen.

Unë sot ka një falënderim të veçantë, për një individ shumë të spikatur, kam një falënderim për doktorin Petrit Vargu i cili sot e la mandatin dhe dha mesazhin më të mirë për të gjithë intelektualët shqiptarë. Dhe kam dhe një mesazh për ata që kanë pranuar mandatin në emër gjoja të integrimit europian.

Është turp. Integrimi europian është mes shqiptarëve, mes qytetarëve tanë që kërkojnë çdo ditë drejtësi. Mes atyre që luftojnë që nga viti 90 për demokraci dhe për liri. Është mes të gjithë këtyre shesheve që janë të mbushura sot.

Ndaj të gjithë bashkë e duam Shqipërinë si gjithë Europa, do të luftojmë për të dhe do ta fitojmë këtë betejë së bashku.