TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka pranuar se Partia Socialiste, pavarësisht organizimit të fortë territorial dhe rezultatit prej 83 mandatesh në zgjedhjet e fundit, ka pasur mangësi në adresimin e drejtpërdrejtë të problemeve me të cilat përballen qytetarët.
Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, në podkastin "Flasim", Rama tha se rezultati elektoral përbën njëkohësisht një mundësi dhe një përgjegjësi të madhe, për shkak të pritshmërive të larta që lidhen me mandatin e ri qeverisës.
“Këto 83 mandate janë bekim, por janë dhe mallkimi ynë dhe ky do jetë një mandat jashtëzakonisht i vështirë, sepse pritshmëritë janë shumë të larta”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar reagimit të Partisë Socialiste pas zhvillimeve të fundit, Kryeministri tha se kishte pasur një moment “tulatjeje”, ndërsa shumë prej strukturave të partisë nuk e kishin kuptuar sa duhet nevojën për të ndryshuar qasjen ndaj qytetarit.
Sipas Ramës, PS-ja ka arritur të ndërtojë një organizim të fuqishëm në territor, por kjo nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me vëmendje ndaj problemeve konkrete të njerëzve.
“Duke u kujdesur për organizatën në çdo territor si makineri elektorale, ne kemi garantuar një fuqi të madhe në të gjithë hartën, por mungojmë pikërisht tek një pikë që është halli i njeriut”, tha Rama.
Ai theksoi se kjo nuk është thjesht një çështje komunikimi, por lidhet me mënyrën se si qeverisja dhe strukturat politike i dëgjojnë, i ndjekin dhe u përgjigjen problemeve të qytetarëve.
Në këtë kuadër, Rama prezantoi BESËN dhe “Praninë Besnike” si pjesë të një reflektimi të ri strategjik.
Sipas tij, BESA nuk është vetëm një term tradicional shqiptar, por edhe një akronim që nënkupton besim, empati, shërbim dhe angazhim.
“Nuk është ‘kërkoj besim pa të dhënë llogari’. Është: ‘Më kontrollo, kjo është BESA’”, tha Rama.
Ndërsa “Prania Besnike”, sipas Kryeministrit, lidhet me detyrimin për të qenë pranë qytetarit pikërisht aty ku ai përballet me problemin.
Me këtë qasje, Rama e lidhi reflektimin e Partisë Socialiste me nevojën për një ndryshim të mënyrës së funksionimit të strukturave të saj, duke vënë në qendër jo vetëm organizimin elektoral, por edhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe problemet e tyre.