SPORT, 27 Tetor 2017, 20:57

Allegri e Montella premtojnë spektakël

Milan-Juventus është përballja me tërheqëse e futbollit italian. Dy skuadrat më të titulluara të Seria A “përplasin brirët” nesër në mbrëmje në “San Siro” të Milanos.

Juventus vjen në këtë takim pas dy fitoreve rradhazi, teksa Milani vjen pas fitores (në mesjavë) ndaj Chievos në Verona, teksa fundjavën e shkuar barazoi me Xhenovan dhe “humbi” mbrojtësin Bonuçi për shkak të një kartoni të kuq.

“Do të jetë një ndeshje tërheqëse dhe ne duhet të marrim tre pikët. Milan ka shumë cilësi. Eshtë pak larg në renditje, por jam i bindur se do të luftojë për vendet e para. Të mërkurën në mbrëmje isha i mërzitur për mungesën e përqendrimit. Gabuam shumë. Gabuam shumë pasime dhe duhet të bëjmë më pak gabime në të ardhmen. Kemi punuar në këtë aspekt dhe shpresoj që ndaj Milan të bëjmë më pak gabime teknike”, tha Allegri në intervistën e pragsfidës.

Tekniku  bardhezinjëve kujton se me Milanin sezonin e shkuar Zonja e Vjetër ka humbur dy takime. “Vitin e kaluar kemi humbur dy herë në Milano, ndërsa sivjet duhet të marrim me çdo kusht pikë. Do të jetë një ndeshje e fortë, sepse gjithmonë është e komplikuar të luash në “San Siro””, tha ai.

Allegri foli dhe për mungesën e Bonuçit. “Leo ka bërë punë shumë të mirë gjatë 7 viteve me Juventus dhe më vjen keq që nuk do të jetë në fushë nesër, sepse në këto ndeshje të mëdha duhet të luajnë më të mirët. Ne aktualisht kemi tre mbrojtës, sepse Benatia nuk është i disponueshëm. Njëri mes Barzagli dhe Rugani do të luajë në krah të Chiellini”, vijoi Allegri.

Tekniku i Milanit, Vincenzo Montella, u shpreh se fitorja ndaj Juventusit nuk është e pamundur, por më parë skuadra duhet të besojë tek tripikëshi. “Unë mendoj edhe më shumë, jo vetëm të fitorja, pasi kjo mund të jetë ndeshja që na rikthen kompetitivë, rikthen Milanin e fillim-sezonit. Kemi përballë ekipin më të madh italian të viteve të fundit, ndërsa ne duam të bëhemi si ata, ndaj gjithçka mund të ndodhë. Është një ndeshje që na stimulon e motivon. Unë jam krenar që drejtoj Milanin dhe në përballje të tilla lojtarët janë gjithnjë të karikuar. Kjo është një arsye më shumë që dëshiroj ta mposht Juven”, u shpreh Montella.

TPZ.AL