AKTUALITET, 11 Nëntor 2024, 23:14

Zjarri në Elbasan/ Tomorri: Shqipëria ka paguar 200 milionë euro për tre inceneratorë. Xama: Inceneratori i Elbasanit punoi 3 muaj

Zjarri në Elbasan/ Tomorri: Shqipëria ka paguar  200 milionë euro

Gazetarët e ekonomisë, Ola Xama dhe Klodian Tomorri, të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN tv komentuan zjarrëvënien në landifillin e Elbasanit, dy ditë më parë. Xama tha se inceneratori punoi vetëm 3 muaj edhe pse për të janë paguar 22 milionë euro. Ndërsa Tomorri u shpreh se kjo situatë me djegie plehrash do të shihet edhe në landfillin e Sharrës pasi tashmë është njoftuar se hapësira për mbetje është në limite. 

Ola Xama: Është një pjesë e landfillit të inceneratorit të Elbasanit ku mbetjet janë grumbulluar nga bashkitë e qarkut të Elbasanit dhe për shkak të tejkalimit të kapacitetit ka pasur një zjarrvënie. Nuk dihet nëse zjarri është vënë nga autoritetet vetë apo njerëz të tjetër. Ajo që ne kuptojmë është se inceneratori i Elbasanit nuk punon dhe ndodh kjo që ne shohim në pamje dhe nuk janë shpenzuar pak, por plot 22 mln euro. Dhe kur është dorëzuar dhe i është dhënë në përdorim kompanisë EkoElb inceneratori ka punuar në totalin e tij vetëm 3 muaj dhe tani prej 1 viti nuk funksionon.

Klodian Tomorri: E para janë pasoja të korrupsionit, efektet që ka prodhuar ajo aferë korruptive në terren. Jemi në rastet kur kemi patur raste të zjarrit dhe është hera e dytë dhe e tretë që ndodh. Ka ndodhur edhe në Fier dhe kjo na lë të kuptojmë që është zjarrëvënie e qëllimshme. Aty u tha se do të ndërtohej incenerator dhe nuk e bënë. Tani i kanë rënë shkurt dhe duke qenë se nuk kanë më vend u vënë flakën mbetjeve. Kjo histori ka për të vazhduar sepse do të vazhdojë në Fier dhe Elbasan dhe shumë shpejtë do të ndodh edhe në Tiranë sepse nuk ka ku të shkojnë mbetjet. Para pak javësh u sabotua edhe inceneratori i Fierit i cili mund të bëhej edhe funksional, por nuk u ezaurua. Ato shpenzime që duheshin nuk u autorizuan dhe bashkia e Fierit ka kaluar dy javë më parë la në pasiv kompaninë që donte të merrte në administrim atë. Finalja është që Shqipëria ka paguar gati 200 milionë euro për të tre inceneratorët dhe nuk ka asnjë funksional. Ai i Tiranës nuk ekziston, ai i Fierit u sabotua dhe i Elbasanit në 5-6 vjet ka punuar vetëm 3 muaj.