AKTUALITET, 11 Nëntor 2024, 21:53

“Kur deputeti është zgjedhur nga krimi i organizuar, drejtorët nuk janë asgjë”, analistët komentojnë “konkursin” në polici

“Kur deputeti është zgjedhur nga krimi i organizuar,

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, u diskutua për konkursin e hapur nga Policia e Shtetit për zgjedhjen e 12 drejtorëve të qarqeve.

Analisti Neritan Sejamini u shpreh se kur krimi ka emëruar deputetët, drejtorët e rinj të policisë janë asgjë. Ndërsa për gazetarin Andi Tela ky është një konkurs fasadë. Kurse analisti Enton Abilekaj tha se Nallbati, Proda dhe drejtuesit e tjerë vijnë nga korridori i tetë i krimit, linja më e rrezikshme e trafikut të drogës, Elbasan-Durrës, Tiranë, pra mund të jenë ndikuar nga elementë të krimit. 

Pjesë nga biseda

Neritan Sejamini: Deri tani ne kemi faktuar deputetë të emëruar nga ndikimi i krimit të organizuar dhe kjo të bën të dyshosh në përzgjedhjen e drejtorëve të rinj nëpër qarqe. A është e mundur? Po patjetër. Ai kur emëron një deputet që është i zgjedhur nga krimi i organizuar, atëherë drejtorët e policisë nuk janë asgjë fare. Krimi i organizuar gjithmonë kap policinë dhe pastaj deputetët. Ne e dimë në fakt që krimi i organizuar ka ndikuar edhe në zgjedhjen e deputetëve. Madje deputetë që miratohen nga kryeministri. Nëse ne flasim që krimi i organizuar pastron paratë, patjetër ka kapur, policinë, prokurorin dhe gjithë strukturat.

Andi Tela: Zoti Noka, sigurisht njeh më mirë se unë personat në listë. As nuk ia rrëzoj dhe as ia konfirmoj. Ajo që duhet thënë, është fakti që nëse deri sot drejtorët emëroheshin nga ministri apo drejtori i policisë, tani kanë gjetur një mënyrë për të paketuar konkurimin e tyre në bazë të ligjit të ri. Nëse e vë re, janë tre policë që do të listojnë 45 policë të tjerë. Kriteret janë relative. Ka të bëjë intervista dhe platforma, janë dy gjëra relative. Juria ka tre persona policë, relativiteti është në maksimum. Nëse do të doje një proces, duhet të angazhohej një juri më e madhe, me njërëz pa konflikt interesi dhe më shumë transparencë. Asnjë nuk kupton renditjen dhe kriteret themelore të renditjes. Nëse Tonin Vocaj ka humbur për shkak të mungesës së gjuhës së huaj, nuk e di sa e rëndësishme është kjo gjë. Pra paketimi për konkurse fasadë, lë për të dyshuar. Problemi që ngre Flamuri, ka të bëjë me zgjedhjet.

Enton Abilekaj: E para, të merremi me procesin. Nuk ka shumë sens si proces. Nëse do të paraqesësh platformë, duhet të kesh një bazë konkrete. Për të luftuar krimin në Tiranë, Shkodër, Elbasan apo Durrës? Secili qark ka specifikat e veta. Për cfarë e kanë paraqitur platformën? Ky që ka dalë i pari është drejtori i Operacionales? Kudo ku ka qenë Neritan Nallbati e ka marrë me vete. Tani Nallbati është kryetar jurie. Nallbati, Proda, drejtuesit, vijnë nga korridori i tetë i krimit, linja më e rrezikshme e trafikut të drogës, Elbasan-Durrës, Tiranë. Nga këto zona i kemi drejtuesit. Dyshimet janë shumë të mëdha që mund të kenë qenë të lidhur. Kur dalin përgjimet që politikanët janë të nënshtruar ndaj krimit… Ne kemi drejtor Operacionale sot në burg se ka lajmëruar njerëzit. Kemi oficer të Operacionales që shoqëronte një të kërkuar që u zhduk. Kemi polic që u shkon qytetari dhe thotë duan të më vrasin dhe nuk bëjnë asgjë dhe pastaj e vrasin. Pra lidhja e krimit me policinë është e qartë. Në një vend që nuk ka vullnet politik për të luftuar krimin, nuk ka se si të ketë luftë. Do të jesh njësh policia dhe krimi, sic u bënë në vitin 2016 bashkë me krimin për kanabisin.