AKTUALITET, 2 Maj 2025, 19:52

“Vota për PS, duhet të jetë votë përtej të majtës dhe të djathtës", Balluku: Më 11 maj zgjedhim Shqipërinë europiane 2030

“Vota për PS, duhet të jetë votë përtej të

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cilësoi votën e dibranëve për PS, votë për më shumë investime në vepra publike që i shërbejnë dibranëve.

Në takimin elektoral për zgjedhjet e 11 majit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, Balluku tha se, “Dibra meriton vëmendjen e Edi Ramës ashtu sikurse ia ka dhënë nga dita e parë e qeverisjes, dhe meritoni të keni rrugët e shkollat, spitalet dhe të keni gjithçka, se jeni njerëz të punës dhe të besës”.

“11 maji është një faqe e re në historinë e Shqipërisë. Ne e kemi nisur një rrugëtim në 2022 dhe këtë herë do ta nderojmë Edi Ramën më shumë se kurrë, sepse ky është një kapitull i ri për Shqipërinë europiane. Ne do të mbyllim tranzicionin dhe do të hapim një kapitull të ri që i përket të ardhmes europiane për fëmijët, gratë dhe burrat”, u shpreh ajo.

Balluku kërkoi votën e dibranëve për PS, teksa tha se “vota për PS, duhet të jetë votë  përtej të majtës dhe të djathtës, sepse zgjedhim Shqipërinë europiane 2030”.