TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një takim elektoral me qytetarët e Fushë-Krujës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë disa premtime të rëndësishme, të cilat do të realizohen, sipas tij, nëse PD fiton në zgjedhjet e 11 majit.
Një nga premtimet kryesore të Berishës ishte se, pas marrjes së pushtetit, do të falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat që lidhen me energjinë elektrike dhe ujin, duke përfshirë edhe ato të vendosura nga policët bashkiakë.
"Me ardhjen time në pushtet, do të falim të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat e KESH-it dhe ujit. Do të fshijmë çdo detyrim të padrejtë ndaj qytetarëve," tha Berisha, duke u angazhuar për një politikë të re që do të mbështesë ata që ndihen të ndëshkuar nga këto tarifa të larta dhe gjoba.
Në vijim, Berisha kritikoi qeverinë aktuale dhe theksoi se, gjatë këtij viti, Edi Rama ka propozuar një buxhet të papërgjegjshëm prej 8 miliardë eurosh, ndërkohë që për pensionistët ka ndarë vetëm 16 milionë euro. Sipas Berishës, kjo është një injorim i rëndë për ata që po jetojnë në kushte të vështira.
"Pensionistët shqiptarë, fjala ime është se në 100 ditët e para të qeverisë sime, nuk do të ketë pensione nën 200 euro. Dhe çdo pension tjetër do të rritet me 20%. 57% e pensionistëve marrin më pak se 172 euro, por ky do të jetë realiteti i ri," u shpreh ai.
Berisha po ashtu njoftoi se do të rrisë rrogat dhe do të mundësojë një ndihmë të drejtpërdrejtë për ata me paga të ulëta. Ai premtuar se çdo rrogë e ulët do të ketë një kartë konsumatori, e cila do të mundësojë blerjen e produkteve ushqimore bazë me një zbritje prej 20%. Po ashtu, qytetarët do të marrin 450 euro kthim të TVSH-së që kanë shpenzuar.
Një tjetër masë e premtuar nga Berisha është që ilaçet do të rimbursohen në mënyrë të plotë, sipas sistemit italian, duke siguruar se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të kërkojnë ilaçe tek të afërmit e tyre.
Për sa i përket çështjes së energjisë dhe ujit, Berisha ka premtuar ulje të ndjeshme të tarifave. "Energjia do të zbresë në 7 lekë për kilovat, dhe tarifat e ujit do të përgjysmohen," tha ai, duke shtuar se do të heqë një seri taksash që ai i cilësoi si "absurde dhe antikushtetuese".
Këto premtime të Berishës synojnë një ndryshim të dukshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe një mbështetje më të madhe për shtresat e varfra dhe pensionistët.